Sekuestrimi i pasurive të Llallës/ Kim: SPAK po jep rezultate, SHBA vijon të mbështesë fuqishëm Reformën në Drejtësi

TIRANË, 3 dhjetor /ATSH/ Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Tiranë, Yuri Kim ka përshëndetur vendimin e Gjykatës së Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për sekuestrimin e pasurive të paluajtshme të ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla.

Kim në reagimin e saj thekson se SPAK po jep rezultate në luftën kundër korrupsionit dhe SHBA vijon të mbështesë zbatimin e Reformës në Drejtësi.

“SPAK po jep rezultate, duke përdorur Ligjin Anti-Mafia për të luftuar korrupsionin. SHBA vazhdon të mbështesë fuqimisht zbatimin e Reformës në Drejtësi, siç kërkohet nga populli shqiptar dhe në përputhje me statusin e Shqipërisë si Aleate e NATO-s dhe aspirante e BE-së”, shprehet Kim.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.