Ruçi: Mirënjohje Spanjës për mbështetjen e integrimit europian të Shqipërisë

TIRANË, 3 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti ambasadorin e ri të Spanjës, Marcos Alonso Alonso, me rastin e fillimit të mandatit të tij në Shqipëri.

Kryetari i Kuvendit, Ruçi, i shprehu ambasadorit Alonso urimet për detyrën e tij në Shqipëri.

Gjatë takimit u diskutua mbi procesin e integrimit europian të Shqipërisë, bashkëpunimin dypalësh, bashkëpunimin parlamentar dhe çështje të tjera.

“Shqipëria është mirënjohëse për mbështetjen që Spanja vazhdon t’i japë integrimit europian të Shqipërisë, pas çeljes së negociatave dhe ne kemi ndërmarrë të gjitha hapat dhe po punojmë fort për të përmbushur kushtet e vendosura për mbajtjen e Tryezës së parë ndërqeveritare me BE. Marrëdhëniet tona dypalëshë janë shumë të mira dhe nuk kemi asgjë që na ndan. Përkundrazi, na bashkojnë aspiratat europiane dhe partneriteti në NATO”, vuri në dukje Kryetari i Kuvendit.

Ambasadori Marcos Alonso Alonso theksoi se është i lumtur për misionin në Shqipëri dhe se do të bëjë ç’ëshë e mundur për intensifikimin dhe zgjerimin e bashkëunimit midis të dy vendeve si edhe fuqizimin e bashkëpunimit parlamentar.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, dhe ambasadori i Spanjës, Alonso, biseduan edhe për bashkëpunimin dypalësh parlamentar, ecurinë e reformës në drejtësi dhe të reformës zgjedhore si edhe për çështje të tjera të zhvillimeve në vend. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.