“Pjesë e rrjetit Covax”/ Tomini: Shpresojmë ta aplikojmë vaksinën antiCovid në javët e para të janarit

TIRANË, 3 dhjetor/ATSH/ Shefja e epidemiologjisë pranë Instritutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini deklaroi sot se shpresojmë me zemër të madhe që javët e para të janarit Shqipëria të jetë përkrah vendeve që do të aplikojnë vaksinën.

Në një  intervistë televizive duke folur për situatën në vend të pandemisë Tomini tha se “pavarësisht mbrojtjes, vaksina do të jetë shpëtuese. Firmat farmaceutike janë në garë se kush po prodhon e para vaksinën. Vaksina nuk është në pjesët e parandalimit të koronavirusit, por ajo do na mbrojë në nivele shumë të larta”.

“Shqipëria njësoj si vendet e tjera që është anëtarësuar brenda rrjetit të COVAX, rreth 180 shtete, ka pjesën e saj në dritaren e parë e programuar duke paguar edhe qeveria shqiptare edhe këstin prej 70% përsa i përket vaksinës që do të jetë e licencuar dhe miratuar nga OBSH djhe institucionet e tjera ndërkombëtare. Vendet që janë në zhvillim e sipër janë prioritare përkundrejt vendeve që janë të zhvilluara. Shqipëria është pjesë e këtij rrjeti dhe shpresojmë që sa më herët, pavarësisht se shumë shtete po bëjnë kontraktimet me Pfizer dhe Modernën, të sjellim vaksinën”, – theksoi Tomini.

Tomini u shpreh se “veprimet e tjera të bashkëpunimit, që janë në nivelin qeveritar vendet e tjera do thonë dhe fjalën e fundit për ardhjen e vaksinës antiCOVID në vend. Meqë vendet e tjera e kanë programuar marrjen e vaksinës përpara Krishtlindjeve ne shpresojmë për javët e para të janarit”, – tha Tomini.

Duke folur për situatën e COVID në vend Tomini tha se “tendencat e COVID në këtë valë të dytë shikohet në rritjen e rasteve pozitive. Në më shumë se 8 javë Shqipëria po e përjeton këtë valë me një intensitet të rasteve të konfirmuara”.

“Kemi risk të shtuar sa i përket infektimeve dhe një transmetim të gjerë komunitar. Kjo është reflektuar edhe në raste të rënda të hospitalizuara. Skenarët do jenë aktivë hap pas hapi përkundrejt çdo rasti që do të kërkojë hospitalizim”, tha Tomini duke shtuar se 50% e rasteve janë të negativizuara.

E pyetur nëse jemi në pikun e valës së dytë, Tomini theksoi se “janë parashikime të deklaruara edhe më herët. Dhjetori përkon me pikun e shfaqjes së infeksioneve respiratore dhe kalon paralelisht me Covid. Festat apo aktivitetet e fundvitit sjellin grumbullime apo lëvizje përtej rutinës së popullatës”.

“Maska si mjet i domosdoshëm apo eliminimi i grumbullimeve masive nuk mund të kuptohen të shkëputura. Maska nuk mund të përdoret si një element për mosvënie gjobe, por si mjet mbrojtës. Parashikohet një trend i lartë i rasteve Covid edhe në javët në vijim”, – tha Tomini, duke shtuar se dimri shton tendecën për transmetueshmërinë e rasteve.

Ajo beri thirrje që të eliminohen grumbullimet masive dhe festat e fundvitit të festohen brenda familjeve të vogla./k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.