PE, rezolutë për Shqipërinë: Zbatim i reformës zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it

TIRANË, 3 dhjetor/ATSH/ Parlamenti Europian, në një rezolutë hartuar për Shqipërinë,  nënvizon rëndësinë e zbatimit të masave të reformës zgjedhore të kodifikuar në korrik 2020, të cilat janë në përputhje me rekomandimet e OSBE-së dhe ODIHR-it, si dhe mirëpret angazhimin për të zbatuar mendimin e ardhshëm të Komisionit të Venecias në lidhje me ndryshimet në Kodin Zgjedhor të miratuar në tetor 2020.

Parlamenti Europian ka hartuar një rezolutë për Shqipërinë ku vendoset theksi te zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Rezoluta inkurajon udhëheqësit politikë të krijojnë një klimë besimi duke kapërcyer mungesën e dialogut dhe shpreh shqetësimin e tij serioz për klimën e polarizuar politike dhe mungesën e bashkëpunimit të qëndrueshëm ndërpartiak që vazhdon të pengojë procesin demokratik.

Po ashtu, përmes kësaj rezolute, PE “kujton përgjegjësinë e përbashkët të forcave politike për të kaluar nga akuzat e ndërsjella, vendimet e njëanshme dhe bojkotet, në shembuj pozitivë në përpjekjet për ndërtimin e konsensusit, të tilla si ato që çuan në marrëveshjen e 5 qershorit 2020 mbi reformën zgjedhore”.

PE thekson se zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit 2021 do të jenë thelbësore për vendin dhe konsolidimin demokratik.

Lidhur me situatën e COVID-19 në Shqipëri, përmes kësaj rezolute, Parlamenti Europian inkurajon qeverinë shqiptare të ketë si prioritet masat me qëllim zbutjen e impaktit social ekonomik nga pandemia e COVID-19.

Po ashtu, PE shton se “duhet të hidhen hapa të tjerë për të shtuar dialogun dhe luftuar ekonominë e përhapur informale”. “Theksojmë nevojën për fuqizimin e shërbimeve sociale dhe për të përmirësuar qasjen në shërbimet sociale e ato shëndetësore”, thuhet në rezolutë.

Rezoluta ndalet edhe te çështja e kufirit detar me Greqinë, ku vlerëson “hapat konstruktiv drejt zgjidhjes së problematikave bilaterale mes Greqisë dhe Shqipërisë për një zgjidhje të kufirit detar përmes drejtësisë ndërkombëtare”.

Lidhur me integrimin në BE, rezoluta mirëpret orientimin dhe angazhimin e qartë strategjik të Shqipërisë në integrimi europian, duke u manifestuar në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe në vazhdimësinë e zbatimit të reformave të lidhura me pranimin.

Po ashtu, ajo mbështet thirrjen e konferencës së parë ndërqeveritare pa vonesa të mëtejshme, pas miratimit të kornizës negociuese nga Këshilli.

Përmes kësaj rezolute, PE kujton se progresi i anëtarësimit varet sipas metodologjisë së rishikuar të zgjerimit mbi reformat e qëndrueshme, të thella dhe të pakthyeshme në të gjithë fushat themelore, në veçanti ato të shtetit të së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit.

PE nxit autoritetet të shtojnë përpjekjet e tyre për të forcuar dialogun politik dhe funksionimin e institucioneve demokratike të vendit, ndërsa përmirëson klimën për pluralizmin e medias dhe shoqërisë civile. /m.m//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.