Ndarja nga jeta e ikonës së Klubit Sportiv “Partizani”, Petrit Murzaku/ Meta: Karrierë e jashtëzakonshme

TIRANË, 3 dhjetor /ATSH/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka shprehur sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ikonës së Klubit Sportiv “Partizani”, profesor Petrit Murzaku.

“Pikëllues lajmi për ndarjen nga jeta të ikonës së Klubit Sportiv “Partizani”, Profesor Petrit Murzaku, sportistit kampion universal, me një karrierë të jashtëzakonshme edhe si trajner e pedagog”, është shprehur Meta.

“I angazhuar në shumë disiplina sportive, Profesor Murzaku, në vitet 1948-1964, fiton 25 tituj kampion, 9 herë kampionatin kombëtar të Volejbollit, 4 herë kampionatin kombëtar të Basketbollit, 3 herë kampionatin kombëtar të Futbollit, si dhe 9 herë kampion në hedhjen e shtizës, në të gjitha si lojtar i ekipit të Tij të zemrës “Partizanit””, ka thënë Meta.

“Me mbi 100 ndeshje ndërkombëtare të zhvilluara në volejboll dhe basketboll, prej të cilave 57 të fituara, Profesor Murzaku, pas karrierës si sportist, spikati si trajner dhe më pas pedagog në Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej” dhe Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve, ku përgatiti breza të tërë kuadrosh të sportit, ushtrisë e forcave speciale”, ka shtuar Meta.

“Ngushëllimet më të sinqerta familjes e të afërmve, si dhe të gjithë tifozëve të Klubit Sportiv “Partizani”, për këtë humbje të madhe! Lamtumirë Kampioni ynë Petrit Murzaku!”, ka nënvizuar Meta. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.