Murrizi: 70% e familjeve shqiptare janë në limitet e mbijetesës

TIRANË, 3 dhjetor /ATSH/ Deputeti i opozitës, Myslym Murrizi deklaroi sot se qeveria po merr borxh “për rrush e kumbulla”.

“Kur një shtet dhe një familje është në mort dhe ju kujtoheni për të harxhuar para për tualet kjo më duket jo normale”, tha Murrizi duke folur në seancën plenare të Kuvendit.

“15 milionë eurot e pandemisë nuk kanë asnjë lloj shpjegimi si dhe për 100 milionë eurot e tjera nuk është dhënë shpjegim në Komisionin e Ekonomisë dhe Financës. Në dijeninë time 15 milionë eurot e marra për pandeminë do të shkojnë në shumicën dërrmuese të tyre për rikonstruksionin e godinës së Institutit të ISHP-së. Pjesa tjetër do të blihen ca I-pad dhe do na u përhapka teknologjia apo mbrojtja nga pandemia nëpërmjet informacioneve në kohë reale dhe koherente. Të dyja së bashku të futura në marrëveshje të veçanta janë 115 milionë euro, nga të cilat 75 milionë euro do t’i paguajnë shqiptarët nga sot e në vazhdim. Pjesë që do t’i shtohet borxhit të madh publik marrë në 30 vite pothuajse nga të gjitha qeveritë”, tha Murrizi.

“Respektoj çdo duartrokitje për punën e bluzave të bardha. Po sikur të kishim qenë më pragmatiste dhe t’i kursenim këto duartrokitje në këtë sallë për të bërë show se i duam fort bluzat e bardha dhe duartrokitjet t’i kishim konvertuar në para’, në rritje pagash reale për ata do të ishte mirë”, theksoi Murrizi.

“Paratë që merrni borxh në emër të qytetarëve shqiptarë dhe i shisni në çdo foltore apo në çdo media si para’ të marra për të zgjidhur hallet e fatkeqëve në këtë kohë krize dhe pandemie, janë para’ që do të shkokan për muze, për manastire, për rijetëzim të veprave të artit dhe do shkokan për një farë rikonstruksioni apo rregullimi të kësaj kulture të lënë në harresë ndër vite në këtë kohë ku më shumë se 70% e familjeve shqiptare janë në limitet e mbijetesës. E nëse agravon situata  dhe shkohet në një mbyllje të dytë, janë me kuptimin e plotë të fjalës ku të thërret qameti”, u shpreh Murrizi.

Ndaj, tha ai, “mos merrni borxh në emër të shqiptarëve për të ngrohur xhepat e 3 -4 zyrtarëve”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.