Metodologjia e vlerësimit të riskut për institucionet qendrore shtrihet në të gjitha institucionet e varësisë

TIRANË, 3 dhjetor /ATSH – I. Vata/ Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj deklaroi sot se miratimi i metodologjisë së vlerësimit të riskut për institucionet qendrore do të shtrihet si praktikë në të gjithë institucionet e varësisë.

Miratimi i metodologjisë së vlerësimit të riskut për institucionet qendrore dhe Planit të Integritetit për Ministrinë e Drejtësisë, që do të shtrihet si praktikë në të gjithë institucionet e varësisë dhe në Ministritë e linjës, përbën një instrument të fuqishëm në dorën e secilit institucion që të përmirësojë qeverisjen e mirë, menaxhimin e duhur, rritjen e eficencës dhe rrënjosjen e kulturës së etikës në administratën publike.

“Besimi i qytetarëve mund të cenohet lehtësisht nga një akt i parregullt i cilitdo zyrtar publik, qoftë ky i nivelit të ulët apo të lartë, duke njollosur kështu të gjithë administratën dhe duke impaktuar imazhin e çdo zyrtari që punon me ndershmëri e devotshmëri. Këto sjellje cenojnë rëndë të mirën publike, marrin çdo herë nga pak nga të gjithë ne”, tha Gjonaj.

Po ashtu, Gjonaj shton se “integriteti është sistem vlerash, që duhet të bëhet pjesë e pandalshme e kulturës tonë institucionale. Integriteti na vesh me dinjitet që duhet t’ia kthejmë administratës publike, sepse është e vetmja vlerë që do t’i kthejë besimin qytetarëve dhe bizneseve në funksionimin e institucioneve”. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.