Mbi 1500 pasuri të sekuestruara nga OFL/ 71 të arrestuar dhe 21 grupe kriminale të goditura

TIRANË, 3 dhjetor /ATSH-A. Fortuzi/ Mbi 1500 pasuri të sekuestruara, 71 të arrestuar nga krimi organizuar dhe mbi 21 grupe kriminale të organizuara të goditura, këto janë shifrat e arritura gjatë vitit 2020 nga Policia e Shtetit dhe falë Operacionit Forca e Ligjit.

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, gjatë një emisioni televiziv u shpreh se krimi organizuar në Shqipëri është fokusuar kryesisht tek trafikimi e kultivimi i drogës.

“Masat antikanabis janë marrë. Nuk mund të kemi iluzionin se kanabisi do zhduket 100%. Dua të them se ky është një duel i përhershëm i krimit me ligjin. Kanabisi është në reduktim të përhershëm. Shqipëria sot ka nivelin më të ulët historik të prodhimit e trafikimit të kanabisit. Si e masim këtë? Duke parë tregjet tradicionale, Greqinë e Italinë. Kemi patur në Itali 60 tonë kanabis të trafikuar në vit, sot jemi tek 900 kg nga Shqipëria gjatë vitit 2020”, – tha Lleshaj.

“Në 2020 është rritur forca goditëse dhe kemi goditur më shumë. Pse e kemi bërë këtë? Sepse kemi patur më shumë mjete, më shumë forca policore, drone, logjistikë, më shumë fluturime me Guardia di Finanza… etj.”, – shtoi Lleshaj, i cili shtoi se risku i prodhimit të kanabisit në vendin tonë është rritur shumë herë.

“Lufta kundër aseteve kriminale është prioritare, e cila ka synim të shteroi burimet e krimit dhe të prish biznesin e krimit. Këtë synojmë ne, këtë qasje kemi ne përmes OFL, të krijojmë modelin se personat e përfshirë në krim, apo që duan të përfshihen në krim, të dinë se do të vi një dit që kjo pasuri e vendosur me krim nuk do të gëzohet. Deri më sot mbi 1 500 pasuri janë dërguar nga OFL në prokurori. Masivisht janë të konfirmuara këto masa. Pra, lufta kundër aseteve është instrumenti bazë për sukses të vazhdueshëm. Të gjithë komponentët e krimit, ndihen sot nën presion, kanë një hall të shtuar, pasi pasi kishin kryer punën me drejtësinë, ishin kthyer në biznesmen, ne sot godasim pasuritë e tyre të vëna me krim. Po ashtu 71 persona janë arrestuar në vitin 2020 si anëtar të krimit të organizuar. 23 grupe të krimit të organizuar të goditur në vend gjatë vitit 2020”, – shtoi ministri i Brendshëm.

Ministri Lleshaj i pyetur për autoveturën BMW të blerë nga Ministria e Brendshme, u shpreh se ka kushtuar 49 000 euro. “Ajo BMW që në treg normal kushton mbi 90 000 euro është blerë në Bavari, tek prodhuesi me çmimin 45 000 euro, pra 45 000 euro i ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë dhe jam krenar për këtë. Edhe po të isha titullar i Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë së Veriut, po aq do më kushtonte, se politikat e prodhuesit favorizojnë një grup të caktuar klientësh”, – bëri të ditur Lleshaj. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.