Ligji i medias/ Rama: Çështje e së drejtës themelore të çdo njeriu për t’u mbrojtur nga të pavërtetat online

TIRANË, 3 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “ligji për mediet është çështje e mbrojtjes së një të drejte themelore të çdo njeriu për t’i dalë për zot dinjitetit të tij”.

Në një intervistë televizive Kryeministri Rama foli për ligjin e ri të medias, duke sqaruar se janë disa komponentë të përfshirë në këtë ligj. Ai vuri në dukje se një komponent është Venecia që ka bërë një opinion solid, të cilin, theksoi Rama, “ne do ta reflektojmë dhe po punohet për këtë punë”.

“Ne kemi një ligj për shtypin sot që flasim që rregullon gjithë veprimtarinë. Pra, të gjitha gazetat, televizionet, radiot e kanë ligjin. Sot çdo qytetar nëse do që të të çojë në gjykatë për shkak se ndjehet i lënduar nga çfarë the, e bën me ligj dhe sipas ligjit në rast se shpallesh i fajshëm ka një penallti të caktuar për ekranin”, – theksoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se ashtu si gjithë pjesa e medias, edhe pjesa online duhet të jetë e rregulluar. “Thelbi i rregullimit është që edhe në Shqipëri, si në gjithë rajonin, edhe si në Holandë, të mos bëhet fjalë që dikush të hapë një portal e ta ketë adresën jashtë e të mos jetë i regjistruar këtu dhe të mos dihet se kush është”, – tha Rama.

Kryeministri Rama tha se “kur u diskutua për këtë ligj më ka habitur numri i sipërmarrësve të cilët më kanë çuar mesazhe që më luteshin të mos tërhiqem nga ky ligj”. “I kam marrë në telefon dy ose tre prej tyre se përse janë të interesuar dhe më kanë thënë se i kanë grirë në gjoba”, sqaroi Kryeministri.

“Ne e kemi online-in të parregulluar. Të gjithë të tjerët e kanë të rregulluar. Kjo është një përpjekje për ta rregulluar edhe median online siç janë edhe mediet e tjera, dhe nuk është fare një përpjekje për të mbyllur portale. S’ka fare mbyllje portalesh në ligj. Shumë vende europiane si Italia, Franca, Gjermania, Kroacia, Sllovenia kanë burg për këta gazetarët. Nuk përjashtohet procesi gjyqësor në këtë ligj”, – nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “ky ligj nuk është fare për mua”. “Unë jam mësuar, nuk është as për qeverinë, por për njerëzit. Unë nuk kam nevojë për ligje për të mbrojtur veten, se lavdi Zotit, ma ka dhënë mundësinë ta kem gjuhën shpatë sa herë që më lind nevoja. Problemi është që degjenerimi ekstrem i së vërtetës, lulëzimi i gënjeshtrave, shpifjeve që lëndojnë njerëzit duhet të kanalizohen duke i dhënë mundësi njerëzve të mbrohen”, – u shpreh Rama.

“Thelbi i këtij ligji është që këta njerëz që bëjnë portalet të regjistrohen dhe të kenë adresë”, – tha Rama.

“Ne kur kemi filluar këtë proces grupi i punës ka marrë modelet kryesisht të Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Kroacisë. Ata të OSBE-së na thanë se modeli gjerman është i papranueshëm, nuk është demokratik. Por Gjermanisë, Francës nuk del njeri t’u thotë: dëgjo, bëjeni ligjin kështu, se ju them unë. Kur vjen puna tek Shqipëria janë organizata që kanë nevojë të punojnë, të eksperimentojnë dhe nuk është çështje vend i vogël apo vend i madh. Vend i vogël është edhe Luksmeburgu, por nuk ia thonë dot”, – tha Rama.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.