Kuvendi në seancë plenare, shqyrton përbërjen e Komisionit të Posaçëm për raportin e Dick Marty-t

TIRANË, 3 dhjetor /ATSH/ Kuvendi zhvillon sot seancën plenare ku do të shqyrtohen disa projektligje.

Kështu Kuvendi do të shqyrtojë sot projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr. 55/2015 “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar””.

Kuvendi do të shqyrtojë edhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për Programin për Zhvillimin e Turizmit dhe Infrastrukturës në Shqipëri”.

Një tjetër projektligj që do të shqyrtohet sot është projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin për reagimin ndaj emergjencës COVID-19 në Shqipëri”.

Kuvendi do të shqyrtojë edhe projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes “Për bashkëpunim ekonomik” ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe”.

Kuvendi gjithashtu do të shqyrtojë edhe Dekretin e Presidentit të Republikës nr. 11.841, datë 20.11.2020 “Për kthimin e ligjit nr. 133/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar””.

Kuvendi do të shqyrtojë edhe projektvendimin “Për miratimin e përbërjes së komisionit të posaçëm të Kuvendit “Për administrimin e dokumentacionit dhe hartimin e një raporti përmbledhës dhe informues mbi gjetjet dhe konkluzionet që kanë nxjerrë verifikimet e kryera nga institucionet përkatëse në Shqipëri mbi çështjet e raportit të anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës Dick Marty mbi bashkëpunimin dhe rolin për të cilin pretendohet se kanë luajtur, përfaqësues politikë shqiptarë ose institucione publike shqiptare, nëpërmjet veprimeve dhe mosveprimeve, në ndihmë të së ashtuquajturës veprimtari kriminale e drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në territorin e Republikës së Shqipërisë”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.