Kuvendi miraton përbërjen e Komisionit të Posaçëm për raportin e Dick Marty-t

TIRANË, 3 dhjetor /ATSH/ Kuvendi miratoi sot përbërjen e Komisionit të Posaçëm për raportin e Dick Marty-t.

Kuvendi miratoi me 85 vota pro, 12 kundër dhe 4 abstenime, projektvendimin “Për miratimin e përbërjes së komisionit të posaçëm të Kuvendit “Për administrimin e dokumentacionit dhe hartimin e një raporti përmbledhës dhe informues mbi gjetjet dhe konkluzionet që kanë nxjerrë verifikimet e kryera nga institucionet përkatëse në Shqipëri mbi çështjet e raportit të anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës Dick Marty mbi bashkëpunimin dhe rolin për të cilin pretendohet se kanë luajtur, përfaqësues politikë shqiptarë ose institucione publike shqiptare, nëpërmjet veprimeve dhe mosveprimeve, në ndihmë të së ashtuquajturës veprimtari kriminale e drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në territorin e Republikës së Shqipërisë”.

Komisioni do të drejtohet nga deputeti Ulsi Manja. Ndërsa anëtarë nga mazhoranca do të jenë Alket Hyseni, Klotilda Bushka, Adnor Shameti dhe Ermonela Felaj. Nga opozita parlamentare anëtarë janë Myslim Murrizi, Edmond Stojku dhe Enver Roshi. Pjesë e komisionit do jetë edhe deputetja Elena Xhina.

Kuvendi gjithashtu rrëzoi me 83 vota kundër, 9 pro dhe 9 abstenime Dekretin e Presidentit të Republikës nr. 11.841, datë 20.11.2020 “Për kthimin e ligjit nr. 133/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar””.

Kuvendi miratoi me 88 vota pro, 12 kundër dhe 2 abstenime projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr. 55/2015 “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar””.

Kuvendi miratoi me 90 vota pro, 7 kundër dhe 5 abstenime projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për Programin për Zhvillimin e Turizmit dhe Infrastrukturës në Shqipëri”.

Kuvendi miratoi me 94 vota pro, 4 kundër dhe 4 abstenim projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin për reagimin ndaj emergjencës COVID-19 në Shqipëri”.

Kuvendi miratoi gjithashtu me 91 vota pro, 5 kundër dhe 4 abstenime projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes “Për bashkëpunim ekonomik” ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.