Kthimi i ligjit “Për Policinë e Shtetit”/ Balla: Meta duhet të heqë dorë nga politika me dekrete presidenciale

TIRANË, 3 dhjetor/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla e cilësoi akt të patolerueshëm kthimin në Kuvend nga presidentit Meta të ligjit “Për Policinë e Shtetit”. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Balla deklaroi sot se ligji “Për Policinë e Shtetit” është diskutuar gjatë në Kuvend por edhe me institucione të tjera.

“Të gjitha përpjekjet në krye të të cilave tashmë është vënë Ilir Meta, Presidenti i Republikës që për turpin e tij, natën takohet me ish-policë apo policë të larguar nga Policia e Shtetit për shkak të përfshirjes në veprimtari kriminale dhe ditën gjoja shqetësohet për Policinë e Shtetit, sot me votën e këtij Kuvendi merr përgjigjen se ne kemi ndërtuar një Polici Shteti tërësisht të depolitizuar”, tha Balla.

Sipas tij, sot kemi rezultatet më të mira të Policisë së Shtetit në këto 30 vite.

“Presidenti i Republikës duhet të heqë dorë nga të bërit politikë me dekrete presidenciale. Çdo lloj vonese edhe në këtë ligj të shkaktuar nga tekat e presidentit, nuk i bën mirë punës së Policisë së Shtetit. Është e patolerueshme që një kryetar shteti të sulmojë një Polici Shteti. Policia e shtetit është garante e zbatimit të Ligjit”, tha ai.

Balla u ndal edhe në marrëveshjen me Emiratet e Bashkuara për ndërtimin e 2 mijë apartamenteve në zonën e Durrësit, duke e cilësuar si të rëndësishme.

Emiratet, tha ai, e kanë treguar mbështetjen ndaj kombit shqiptar gjithmonë në momente të vështira. Kujtojmë krizën e luftës në Kosovë, ku vetë Princi i Kurorës ishte një prej pilotëve që sillte ndihmat për bashkëkombasit tanë të shpërngulur prej genocidit serb.

“Sot jemi në kushtet që përsëri pas një situate të vështirë të shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit, miqtë emiratas i gjenden Shqipërisë”, u shpreh Balla.

Ai bëri të ditur se procesi i rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit ka ecur në mënyrë të shkëlqyer dhe balta për gjoja vonesa nuk është e vërtetë. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.