Investimet nga Emiratet e Bashkuara Arabe, 40 milionë euro gjatë vitit 2020

TIRANË, 3 dhjetor/ATSH/ Investimet direkte nga Emiratet e Bashkuara Arabe, vetëm në vitin 2020 llogariten 40 milionë euro, ndërsa në vitin 2019 ato ishin 89 milionë euro.

Kuvendi miratoi sot marrëveshjen “Për bashkëpunim ekonomik” ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj tha gjatë fjalës së saj në kuvend se në vitet e fundit, bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe është intensifikuar edhe përmes platformës së shmangies së tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal në lidhje me tatimin mbi të ardhurat dhe kapitalin, apo ai për nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve.

“Marrëveshja që miratojmë sot, i përgjigjet dhe synon edhe t’i paparijë rritjes e zgjerimit të bashkëpunimit dypalësh, në aspekte të ndryshme ekonomike e tregtare me interes të përbashkët, për të mbështetur dhe lejuar zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike mes të dy vendeve”, deklaroi ajo.

Marrëveshja, sipas saj, synon konsolidimin e bashkëpunimit industrial, tregtar, të investimeve, turizmit, logjistikës dhe infrastrukturës, pronave, aseteve, objekteve të paluajtshme, bujqësisë e sigurisë ushqimore.

“Marrëveshja do të shtrihet jo vetëm në bashkëpunimin ndërqeveritar, por edhe në bashkëpunimin e sektorit privat, duke nxitur sipërmarrjet private për zbatimin e projekteve në fushat e bashkëpunimit ekonomik dhe me interes reciprok”, tha ministrja.

Zbatimi i saj pritet të ketë impakt të drejpërdrejtë në mirëqënien e qytetarëve.
Qeveritë kanë rënë dakord për një listë të projekteve specifike, të një natyre strategjike që plotësojnë edhe objektivat e marrëveshjeve të mëparshme ekonomike dhe të bashkëpunimit, ku mund të përmendim rizhvillimin e Portit të Durrësit, mundësitë e investimeve në industrinë e turizmit, bujqësisë dhe logjistikës në Vlorë, Sarandë dhe Ksamil, si dhe investimet në fushën e turizmit në zonën e Përmetit.

Ndërkohë, Emiratet e Bashkuara janë angazhuar edhe për ndërtimin e 2 mijë banesavenë zonën e Durrësit në kuadër të procesit të rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.