Gjykata e Posaçme sekuestron pasuritë e ish-Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla

TIRANË, 3 dhjetor /ATSH – I. Vata/ Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka vendosur masën e sekuestrimit të pasurisë për pasuritë e paluajtshme të ish-Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, mbi bazën e verifikimeve të kryera nga SPAK.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, mbi bazën e verifikimeve pasurore të kryera në kuadër të procedimit penal nr. 65 viti 2019, ka regjistruar hetimin pasuror me nr.11 viti 2020, për pasuritë në zotërim të shtetasit Adriatik Llalla, ish-Prokuror i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë.

Prokuroria e Posaçme duke marrë në konsideratë rezultatet e hetimeve pasurore të kryera, bazuar në kërkesat e ligjit nr.10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, të ndryshuar, ka paraqitur në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kërkesën për sekuestrimin e pasurive në zotërim të shtetasit Adriatik Llalla.

Me vendimin me nr.19, datë 23.11.2020 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, është vendosur masa pasurore e sekuestrimit të pasurisë për pasuritë e paluajtshme të shtetasit Adriatik Llalla, si më poshtë vijon:

Pasuria e paluajtshme nr.39/146-ND+1-21, zona kadastrale nr. 8518, e llojit apartament banimi, me sipërfaqe 67.2 m², ndodhur në Durrës, blerë me kontratën nr. 432 Rep dhe nr. 221 Kol, datë 19.03.2012;

Pasuria e paluajtshme nr.64/40, zona kadastrale nr.3091, volume 3, faqe 195, e llojit tokë arë, me sipërfaqe 4.500 m², blerë me kontratën nr.972 Rep dhe nr. 546 Kol, datë 05.12.2016;

Pasuria e paluajtshme nr. 64/61, zona kadastrale nr.3091, volumi 4, faqe 198, e llojit tokë arë, me sipërfaqe 12.300 m², ndodhur në Tiranë, blerë me kontratën nr. 316 Rep dhe nr.187 Kol, datë 15.03.2017;

Pasuria e paluajtshme nr.64/62, zona kadastrale nr. 3091, volumi 4, faqe 199, e llojit tokë arë, me sipërfaqe 3000 m², ndodhur në Tiranë, blerë me kontratën nr.315 Rep dhe nr.186 Kol, datë 15.03.2017;

Pasuria e paluajtshme nr.64/58, zona kadastrale nr. 3091, volumi 4, faqe 195, e llojit tokë arë, me sipërfaqe 2250 m², ndodhur në Tiranë, blerë me kontratën nr.573 Rep dhe nr.376 Kol, datë 15.05.2017;

Hetimet pasurore janë në vazhdim dhe ende nuk kanë përfunduar. Masa e sekuestrimit të pasurive të paluajtshme në këtë rast është vendosur duke u bazuar në ligjin nr.10192, datë 03.12.2009 dhe kjo masë parandaluese është autonome nga procesi penal që është duke u zhvilluar ndaj shtetasit të mësipërm. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.