BRUKSEL, 3 dhjetor /ATSH-AFP/ – Drejtuesit e institucioneve europiane përshëndetën sot kujtimin e ish-presidentit francez, Valéry Giscard d’Estaing, i cili vdiq në moshën 94-vjeçare, një europian i madh, të cilit ndërtimi i BE i detyrohet shumë.
“Sot ne shprehim keqardhje për një europian të madh që do të vazhdojë të na frymëzojë”, shkroi në Twitter presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
“Në zemrën e tij, fatet e francezëve dhe të Europës ishin të lidhura ngushtë”, shton ajo.
Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel kujtoi se ai së bashku me Helmut Schmidt, kancelari gjerman në kohën kur ishte president, në vitet 1974 dhe 1981, francezi konkretizoi ëndrrën e një Europe më të integruar.
“Ai krijoi Këshillin Europian, që vuri bazat për bashkimin monetar, pra dhe për euron”, shtoi ai.
“Ne i detyrohemi atij shumë”, theksoi shefi i diplomacisë europiane, Josep Borrell.
“Gjatë gjithë jetës së tij ai punoi në favor të forcimit të ndërtimit europian”, shtoi ai.
Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli kujtoi rolin e tij si president i Konventës për të ardhmen e Europës në fillim të viteve 2000, kur ai kërkoi të pajiste BE-në me një Kushtetutë, për të cilën ajo ende ka shumë nevojë.
Teksti i kompromisit drejtuar drejtuesve europianë në qershor të vitit 2003 nga Valery Giscard d’Estaing do të hidhej poshtë nga një referendum në Francë dhe në Holandë në 2005, duke bllokuar procesin e ratifikimit në BE./ /ec/