Bushati: Janë pjekur kushtet për të sjellë në tregun ekonomik shqiptar një amnisti fiskale

TIRANË, 2 dhjetor/ATSH/ Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati deklaroi sot se shtyrja e afatit për miratimin e p/ligjit “Për amnistinë fiskale dhe penale për subjektet që bëjnë deklarimin vullnetar të pasurive” lidhet me një harmonizim më të plotë me penalitetet, që janë dhe pjesë e ndryshimeve të reja në Kodin Penal.

“Janë pjekur kushtet për të sjellë në tregun ekonomik shqiptar një amnisti të përgjithshme në mënyrë që të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë vendit t’i deklarojnë të gjitha asetet, por nevojitet një harmonizim më i plotë me penalitetet, që janë dhe pjesë e ndryshimeve të reja në Kodin Penal”, tha Bushati gjatë një interviste në medie.

Duke dashur që të finalizojmë dhe piketojmë dhe me qartë edhe disa kushte dhe arsye se si mund të harmonizohet më mirë për penalitetet, tha Bushati, qeveria ka dashur më shumë kohë për ta riparë ligjin.

“Besoj që shumë shpejt do ta kemi, sepse mendoj që janë pjekur kushtet kur ne mund të sjellim në tregun ekonomik shqiptar një amnisti fiskale”, u shpreh Bushati.

Projektligji “Për amnistinë fiskale dhe penale për subjektet që bëjnë deklarimin vullnetar të pasurive”, i shqyrtuar nga Komisioni i Ekopnomisë në parim, pritet që të përcaktojë një afat 1-vjeçar, për subjektet që deklarojnë vullnetarisht pasuritë, me qëllim të ligjësimit të tyre dhe të formalizimit të aktiviteteve të krijuara gjatë 30 viteve të fundit. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.