“Bonus qiraje për mbi 13 mijë familje që po u rindërtohen banesat”/ Klosi: Askush nuk u la në mëshirë të fatit

TIRANË, 3 dhjetor /ATSH/ Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi tha se problematikat e njerëzve që mbetën pa shtëpi nga tërmeti i 26 nëntorit u arritën të trajtohen që ditën e parë, duke vijuar ditë pas dite për të mos lënë askënd pa mbështetje.

Gjatë një emisioni televiziv mbrëmjen e së enjtes, Klosi foli për përpjekjet e një viti pas tërmetit, Rindërtimin si një proces që po ecën.

Ai theksoi se qeveria edhe sot u paguan bonusin e qirasë familjeve që u prekën nga tërmeti që ende nuk kanë hyrë në banesa. “Askush nuk është lënë në mëshirë të fatit”, – deklaroi ai.

Sipas tij, janë 13 356 familje me qira, ndërsa në zonën e Durrësit janë 1324 familje në zonat rurale që qëndrojnë çadra me zgjedhjen e tyre pasi duan të qëndrojnë pranë pronës.

Ndërkohë, theksoi Klosi, programi i Rindërtimit krahas banesave numëron deri tani një numër të konsiderueshëm shkollash të ndërtuara.

“Mënyra sesi e menaxhuam rindëtimin është një nga betejat tona më të forta elektorale”, – tha Klosi. Ministri theksoi se tërmeti dhe pandemia shkaktuan dëme në ekonominë e vendit.

Lidhur me situatën e pandemisë COVID-19, ai bëri me dije se nuk janë planifikuar masa të reja kufizuese për momentin. “Çdo qëndrim ndaj pandemisë ka qenë i bazuar tek ato që ka thënë grupi i ekspertëve”, – u shpreh Klosi.

“Mbyllja e parë, ajo më e forta, u kritikua pafund ndërkohë që ishte një gjë shumë e mirë dhe faktet e tregojnë që sistemi shëndetësor në momentin e goditjes së parë arriti të ishte i stabilizuar. U mor eksperienca e nevojshme, u përgatitën spitalet COVID dhe situata u trajtua ashtu siç duhet. Sot nuk jemi përballë një shoku në sistemin shëndetësor siç ndodhi në vendet e tjera që valën e parë e trajtuan më ndryshe”, – tha Klosi.

“U tha që nuk ka spitale COVID, u hap spitali COVID 1 që ishte Infektivi, u përgatit spitali COVID 2 që ishte Sanatoriumi, u përgatit spitali COVID 3. Ka qenë prill kur filloj procedura për përgatitjen e COVID 4 dhe sot mbas disa muajsh të nevojshme për tu hapur COVID 4, u hap. Gjithashtu janë përgatitur spitalet rajonale nëse do kemi fluks më të madh të të infektuarve. Sot kemi rreth 400 shtretër që janë disponibël për pacientët me COVID-19,  ndërkohë që kapaciteti është disa herë më i lartë. Të paktën 3 deri 4 herë më shumë sesa kapaciteti që janë të uzupuar është i gatshëm të përdoret me faza”, tha Klosi. /r.e/ /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.