“57% më pak vrasje në familje”/ Lleshaj: Rendi dhe siguria, në nivelet më të mira historike

TIRANË, 3 dhjetor /ATSH-A. Fortuzi/ Gjatë vitit 2020 janë arritur shifrat më të mira të 30 viteve të fundit sa i takon sigurisë publike, janë regjistruar 57% më pak vrasje në familje se një vit më parë, 13% më pak vrasje.

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, gjatë një emisioni televiziv politik u shpreh se rendi dhe siguria është në nivelin më të mirë të mundshëm, duke parë statistikat e 30 viteve të fundit.

“Nëse do bëja një rezyme të përgjithshme do të thoja se janë 45 vrasje gjatë vitit 2020 në vendin tonë. Fenomeni nuk është në përmasa alarmante. Kurrë s’e kemi pasur në këto 30 vitet e fundit sa i takon vrasjeve. Rendi publik është në vlerat më të mira të mundshme në 30 vitet e fundit në të gjitha parametrat e tij. Vrasje krahasuar me një vit më parë kemi 13% më pak. Vrasje në familje 57% më pak se një vit më parë. Vepra penale të regjistruara -6%, aksidentet automoblistike -15% nga një vit më parë. Viktima nga aksidentet -18%. Nuk jemi në dramë. Por nëse do bëjmë një analizë të ndershme të treguesve esencialë për sa i takon kriminalitetit, jemi absolutisht në nivelin më të mirë të 30 viteve të fundit”, – tha Lleshaj.

Ai evidentoi se “71 persona janë arrestuar në vitin 2020 si anëtarë të krimit të organizuar”.

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj e ka cilësuar Tiranën si një nga qytetet më problematike sa i përket situatës së rendit. Sipas tij, kjo është e lidhur edhe me numrin e lartë të banorëve, ndërkohë që pohoi problematika edhe në qytetet e Vlorës, Elbasanit dhe Shkodrës.

“Nuk ka asnjë cep të territorit të Shqipërisë në duart e krimit, – tha Lleshaj, – kjo, falë qytetarëve dhe Policisë që kanë bashkëpunuar në mënyrë efikase”, – tha ministri i Brendshëm, Lleshaj. /r.e/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.