12 projekte të investimeve strategjike në turizëm, sektorin automotiv e bujqësi/ Ekonomi: Vlera 343 milionë euro

TIRANË, 2 dhjetor/ATSH/ Që nga janari i vitit 2016 deri në fund të vitit 2019, pranë Agjencisë së Zhvillimit të Investimeve të Huaja (AIDA) për statusin e investitorit/investimit strategjik kanë aplikuar 25 investitorë, ndërsa janë miratuar gjithsej 12 projekte të investimeve strategjike.

Nga këto 8 kanë përfituar statusin e investitorit strategjik, procedurë e asistuar dhe 4 statusin e investitorit strategjik/procedurë e veçantë.

Vlera për projektet e miratuara arrin në 343 milionë euro. 7 projekte janë në sektorin e turizmit, 4 në sektorin e bujqësisë dhe 1 në sektorin e zonave me përparësi zhvillimi i industrisë auto.

Ndërkohë qeveria ka kërkuar zgjatjen e afatit të paraqitjes së kërkesave nga subjektet investuese të interesuara për përfshirjen në procedurat për përfitimin e statusit “investim/ investitor strategjik, procedurë e asistuar/e veçantë”, në zbatim të ligjit “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, edhe për 1 vit, pra deri më datën 31 dhjetor 2021.

Kryetarja e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Milva Ekonomi deklaroi se për shkak të pandemisë së COVID-19 nuk u arrit hartimi i një projektligji të ri “Për investimet”.

“Në këto kushte për të shmangur krijimin e një boshllëku ligjor si dhe të pasojave që mund të krijohen prej tij u propozua që afati i zbatimit të ligjit “Për investimet strategjike” të shtyhet deri më datë 31 dhjetor 2021”, tha Ekonomi. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.