Vokshi: Datat e udhëtimit të Xhaçkës me helikopter përkojnë me mbledhjet e PS në Dibër

TIRANË, 2 dhjetor /ATSH – I. Vata/ Ish-deputetja e PD-së, Albana Vokshi deklaroi sot se ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka vazhdon të keqpërdorë pushtetin duke mos dhënë llogari pse ka marrë helikopterin ushtarak për të shkuar në mbledhje partie në Dibër.

Vokshi shprehet se Xhaçka është përpjekur të fshehë të vërtetën, pa iu përgjigjur asnjëherë pyetjes shumë të thjeshtë: Përse ka shkuar me helikopter ushtarak në mbledhje partie?

“Ne kemi publikuar datat, kur drejtuesja politike e Edi Ramës në Dibër ka përdorur helikopterin për të bërë fushatë. Përmes të tretëve, pa patur kurajo të ballafaqohet me faktet, Olta Xhaçka e ka mohuar këtë shpërdorim flagrant të detyrës dhe abuzimin me paratë publike. Vajtje-ardhjet e saj në Dibër, vetëm për 2 muaj, kushtojnë mbi 100 milionë lekë”, u shpreh Vokshi.

Sot, vijoi ajo “po publikojmë fakte të tjera, që provojnë se Olta Xhaçka udhëtoi në Dibër me helikopter për punët e partisë. Për shembull, në 3 tetor, Olta Xhaçka ka shkuar më Dibër me helikopter. Nuk ka patur asnjë stërvitje ushtarake, asgjë që lidhet me funksionin e saj si Ministre e Mbrojtjes. Llogaria në Facebook e Kryetarit të Partisë Socialiste në Dibër e tregon Olta Xhaçkën më 3 tetor në Asamblenë e zgjeruar të Partisë Socialiste në këtë zonë”, tha ajo.

Po ashtu, Vokshi shton se në 10 tetor, një tjetër ditë, kur Olta Xhaçka ka përdorur helikopterin, është postuar një takim tjetër me strukturat e Partisë Socialiste.

“Kështu vazhdohet për çdo udhëtim me helikopter, takim me gratë socialiste, inspektime për tenderat e bashkive, madje helikopteri është përdorur për të shkuar në koncert me këngë e valle të zonës”, shprehet Vokshi. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.