Vijon meremetimi i pallateve të dëmtuara nga tërmeti në Durrës/ 9700 familje përfituan rreth 4 miliard lekë grante

TIRANË, 2 dhjetor/ATSH/ Në Durrës po ecën me ritme të larta meremetimi i 94 pallateve në zonën e plazhit, ndërsa në total janë 615 pallate në gjithë bashkinë.

Kryeministri Edi Rama pa sot nga afër punën që po kryhet në Durrës, ndërkohë që sipas tij, “banorët po përfundojnë meremetimet e apartamenteve, falë grantit rreth 4 miliardë lekësh të dhënë nga qeveria për 9700 familje”.

Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj u shpreh se “pa grantin për rikonstruksionin e banesave në Durrës familjet do harxhonin 43 milionë dollarë për të rregulluar shtëpitë”.

“Qeveria ka dhënë grante për DS1, DS2 dhe DS3 plot 43 milionë dollarë që do dilnin nga xhepat e qytetarëve”, tha Ahmetaj.

Kryetarja e bashkisë Durrës, Emirjana Sako informoi se “në gjithë Durrësin kanë përfunduar 145 objekte nga këto janë 300 familje me bonus qiraje, të cilat ne do t’i zbresim nga fondi i bonusit dhe po bëjmë procedurën”.

Sako tha se “në 458 objekte meremetimet pritet të përfundojnë brenda janarit 2021 dhe pjesa tjetër prej 157 objektesh do të ketë një afat që të përfundojë nga fillimi i shkurtit 2021”.

“Edhe pse me dëme mesatare, volumet e punës këtu kanë qenë të mëdha pasi objektet janë të larta”, tha Sako./m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.