Vetëdeklarimi i pasurisë/ OFL u dërgon formularët dy të dënuarve në Fier e Kurbin

TIRANË, 2 dhjetor/ATSH/ Operacioni “Forca e Ligjit” në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, u ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, 2 shtetasve në Fier dhe në Kurbin.

Konkretisht kërkesa për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë iu dërgua shtetasit Sh. L., banues në Fier, i dënuar në Kosovë për veprat penale “Krim i organizuar” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, si dhe shtetasit B. H., banues në Kurbin, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special. /m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.