Spektakël natyror në Lagunën e Kune-Vainit, ku pelikanët kaçurrelë kanë mbërritur për të dimëruar

TIRANË, 2 dhjetor/ATSH/ Prej disa vitesh Laguna e Kune Vainit është kthyer në një ansambël ngjyrash e speciesh që të mrekullon.

Një nga habitatet më të banuara nga specie të ndryshme fluturakësh, Laguna e Kune Vainit po rikthehet në gjendjen e vet tradicionale pas vendosjes së moratoriumit mbi gjuetinë e paligjshme.

Këtë fillimdimri Lagunës nuk do t’i mungojë as pelikani kaçurrel.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ka publikuar një video nga Laguna e Kune Vainit, të disa pelikanëve kaçurrelë të cilët shijojnë ujërat e kësaj lagune, ku thekson se kjo specie e rrezikuar ka gjetur strehën e saj në vendin tonë.

“Spektakël natyror në Lagunën e Kune Vainit, ku pelikanët kaçurrelë kanë mbërritur për të dimëruar”, shprehet Klosi.

Sot, kjo Zonë e Mbrojtur shfrytëzohet edhe për turizëm të vëzhgimit të shpendëve të shumtë ujorë që shumohen në këtë kënetë. Në përbërje të Lagunës hyjnë mjedise detare, lagunore, ligatinore, pyje, shkurre dhe livadhe, që ndërthuren hijshëm midis tyre.

Dallohet për larmi të madhe të botës së gjallë rreth 227 specie bimësh, 17 lloje molusqesh, 10 lloje amfibësh, 24 lloje zvarranikësh, disa lloje peshqish si qefulli, levreku, koca, ngjala. Veçanërisht e pasur është bota e shpendëve (196 lloje migratore dhe të përhershëm), e cilësuar si “ornitologjia e Mesdheut”, 23 specie gjitarësh: lepur, dhelpër, ujk, derr i egër, etj. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.