Situata epidemiologjike/ Dr. Eugena Tomini: Nivel i lartë risku, kemi transmetim komunitar

Tiranë, 2 dhjetor/ATSH/ Situata epidemiologjike në vendin tonë vlerësohet me intensitet të lartë të përhapjes së infeksionit Covid-19. Dr. Eugena Tomini, bëri një pasqyrim të situatës epidemiologjike në një komunikim me mediet pas takimit periodik të Komitetit Teknik të Ekspertëve.

“Vendi sërish po përvijon me intensitet të lartë të hasjes së Covid19 në vend. Incidenca dyjavore e rasteve të konfirmuara përsëri vijon e lartë. Nga niveli 254 raste për 100 mijë banorë në nivelin e 347 rasteve për 100 mijë banorë. Ndërkohë, vetëm javën e fundit është vënë re një tendencë në ulje të rasteve pozitive, përsa i përket javës që lamë pas dhe kjo është reflektuar në nivelin e 1.2 herë më ulët se sa një javë më përpara. Duhet të theksohet që qarku që mban peshën më të madhe të rasteve të konfirmuara është Tirana, e ndjekur nga Gjirokastra dhe qarku Lezhë”, tha Tomini.

Duke bërë një vlerësim të situatës epidemiologjike, Tomini tha se “kemi një trasmetim komunitar dhe niveli i riskut vijon të jetë i lartë”.

“Duhet të themi që kemi një transmetim të gjerë komunitar dhe ndërkohë vazhdon të jetë i lartë niveli i riskut përsa i përket transmetimit të Covid19 në popullatën e gjerë. Duhet të theksojmë dhe një element të rëndësishëm që po përvijon ky lloj intensiteti edhe për vetë faktin e masave të cilat duken të thjeshta në dukje por që janë shumë të rëndësishme për t’u zbatuar”, – theksoi Tomini.

Dr.Tomini tha se “java e fundit ka treguar një ndikim të masave ndërhyrëse që kanë qenë masat shtrënguese të orës policore, të eliminimit të grumbullimeve dhe po përvijohet të vlerësohet sigurisht situata në vijim”, tha Tomini./k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.