“Shqipëria, program vaksinash të jashtëzakonshëm”/ Fico: Masat e marra ulën rastet pozitive, qytetarët duhet të jenë më bashkëpunues

TIRANË, 2 dhjetor /ATSH/ “Dy javët e fundit kanë një stabilitet në ulje të rasteve pozitive, edhe si pasojë e masave të ndërmarra. Mos të harrojmë se masat kanë një karakteristikë, duhen 4 deri në 6 javë vrojtim për të vendosur ndryshime të masave”, deklaroi drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico gjatë një interviste televizive.

Mbi rastet e shtuara gjatë ditëve të fundit Fico tha se, “janë dëshmi të situatave pararendëse. Nëse nga një anë autoritetet shëndetësore do të bëjnë punën e tyre, duke filluar nga spitalet dhe epidemiologët, dhe nga ana tjetër qytetarët, do të jenë bashkëpunues, i kemi shanset shumë të mira”.

Për hapjen e COVID 4 Fico tha se, “hapja e COVID 3 dhe 4 janë pasojë e strategjisë, spitalet nuk bëhen brenda natës. Është lajm i mirë, sepse do të thotë që nuk jemi kapur të papërgatitur, por nga ana tjetër hapja e tij do të thotë që duhet t’i vëmë gishtin mendjes, që kjo emergjencë nuk ka mbaruar”.

Mbi vaksinën antiCovid Fico theksoi se, “jemi pjesë e COVAX Facility, që bashkon shumë shtete që kanë parapaguar. Vetë konsorciumi ka firmosur tre kontrata me Astra Zeneca, Sanofi Glaxo dhe Novavax. Vaksinat ndryshojnë nga njëra tjetra edhe për shkak të platformës me të cilën që janë planifikuar. Por nuk ka vaksina që do të shkojnë vetëm në Itali, në Shtetet e Bashkuara ose vetëm në Shqipëri”.

“Po të ketë mangësi ose vonesë vaksine me instrumentin e COVAX, ne kemi marrëveshje me të paktën dy vende si Italia dhe Republika Çeke, që do të na furnizojnë nga sasitë tyre”, tha ajo. 

“Shqipëria ka një program vaksinash të jashtëzakonshëm, e them me krenari, për cilësinë e vaksinave që sjell. Ne mund të kishim më shumë vaksina, por asnjëherë nuk ka pasur asnjë marrëveshje që është bërë vetëm për kostot e ulëta”, përfundoi Fico. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.