SHBA – Republikanët dhe demokratët propozojnë një plan rimëkëmbjeje

UASHINGTON, 2 dhjetor /ATSH-AFP/ – Një grup i vogël parlamentarësh demokratë dhe republikanë propozuan një plan rimëkëmbjeje prej 908 miliardë dollarësh për të mbështetur ekonominë amerikane, të prekur nga pandemia e COVID-19, në një kohë që negociatat kanë rifilluar mes Kongresit dhe Shtëpisë së Bardhë.

Për momentin, paketa e ndihmës nuk ka miratimin e Shtëpisë së Bardhë dhe dy propozime të tjera konkurruese po qarkullojnë. Por rinisja e negociatave është një shenjë që zyrtarët e zgjedhur nga të dy partitë duan të ecin përpara për këtë çështje të bllokuar që nga vera.

Njoftimi për këtë ringjallje të dialogut vjen ndërsa ekipi ekonomik i Joe Biden u prezantua zyrtarisht të martën, presidenti i zgjedhur duke i kërkuar Kongresit të votojë pa vonesë për një plan të “fuqishëm” të ndihmës.

Përveç planit prej 908 miliardë dollarësh, udhëheqësit demokratë në Kongres u prezantuan propozimin e tyre udhëheqësve republikanë, pa zbuluar shumën.

Ndërkohë, drejtuesi i mazhorancës republikane në Senat, Mitch McConnell zbuloi dje se i kishte kërkuar Shtëpisë së Bardhë se çfarë masash presidenti në ikje, Donald Trump do të ishte gati të miratonte para largimit të tij më 20 janar./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.