Realizohet për herë të parë me metoda të avancuara një ndërhyrje e rrallë në shërbimin e Urologjisë

TIRANË, 2 dhjetor/ATSH/ Një ndërhyrje e rrallë në gjëndrën mbiveshkore, me metoda të avancuara, është realizuar për herë të parë në shërbimin e Urologjisë tek një 53-vjeçare nga Tirana në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu bëri të ditur se edhe në një kohë të pazakontë si kjo që po kalojmë, mjekët tanë jo vetëm nuk kanë reshtur ofrimin e shërbimeve për të gjithë pacientët në nevojë, por vijojnë të kryejnë edhe operacione tejet delikate, siç është ky që është realizuar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Ministrja informoi se pacientja sapo është kthyer pranë familjes shëndosh e mirë.

“Një ndërhyrje e rrallë në gjëndrën mbiveshkore, me metoda të avancuara, është realizuar për herë të parë në shërbimin e Urologjisë tek një 53-vjeçare nga Tirana, e cila sapo është kthyer pranë familjes shëndosh e mirë”, tha ajo.

Sipas ministres, ndërhyrja delikate (surrenalektonia e majtë laparoskopike), një operacion i shkallës së lartë të rrezikshmërisë u realizua me sukses falë meritës së mjekëve tanë të talentuar dr. Aurel Janko, dr. Dritan Rehovica, dr. Amarilda Arapi, dr. Ardian Kurti dhe infermiere Besa Seiti dhe Eliora Goxhabelli, si edhe falë aparaturave të teknologjisë së lartë dhe kushteve që janë krijuar në spitalin modern të kirurgjisë. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.