Prof. Kalo rrëzon akuzat e Bashës: Nuk ka falsifikim të skedave të vdekjes, po krijojnë tymnajë mosbesimi për punën e madhe të mjekëve

TIRANË, 2 dhjetor/ATSH/ Mjeku i njohur i Spitalit Infektiv dhe njëherësh përfaqësues i Komitetit Teknik të Ekspertëve, prof. Tritan Kalo, ka rrëzuar me një shpjegim shkencor dhe të detajuar pretendimet e kreut të opozitës për skedat e vdekjeve të pacientëve me COVID.

“Ka të përcaktuar mirë ligjërisht dhe shkencërisht, kur plotësohet një skedë vdekjeje, arsyet pse i sëmuri vdes. Pra që nga pranimi, evoluimi i rastit dhe momenti kur ndërron jetë. Në këto raste nuk mund të bëhet asnjë ndërhyrje ose të krijohet një artificë si në lidhje me diagnozën e pranimit, evolucionin, diagnozën e evolucionit ta rasteve, ashtu dhe përfundimin. Në këtë rast nuk mund të ketë asnjë lloj në thonjëzat “falsifikimi ose ndryshimi”. Është krejtësisht e pamundur”, u përgjigj Kalo.

Prof. Kalo ka rrëzuar pretendimet e opozitës me një shpjegim të detajuar shkencor për shkakun e vdekjeve.

“Populli duhet ta ketë të qartë. Asnjë ndërhyrje për ndryshimin e diagnozës ose ndryshimin e shkakut të vdekjes. Problematikat që krijohen artificialisht krijojnë një tymnajë dhe krijojmë një ndarje midis besimit të popullit dhe punës së madhe që bëjnë mjekët. Duhet thënë publikisht, mjekët, infermierët, sanitaret, kushdo që merret me të sëmurët me Covid-19 bën një sakrificë maksimale. Vënë jetën e tyre në rrezik, për të shpëtuar jetët e të tjerëve”, ishte apeli i prof. Kalos./k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.