Paketat shëndetësore falas/ Mbi 130 mijë seanca dialize në spitalet publike dhe private

TIRANË, 2 dhjetor/ATSH/ Mbi 130 mijë seanca dialize janë kryer deri tani në spitalet publike dhe private me financim 100% nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
FSDKSH thotë se pacientët marrin shërbim cilësor me kushte e standarde bashkëkohore.
Pavarësisht situatës së vështirë, nuk është ndërprerë për asnjë çast financimi i paketave shëndetësore dhe shërbimi për të sëmurët kronikë dhe për qytetarët që kanë nevojë për shërbim shëndetësor të specializuar, ku 130 456 seanca dialize janë kryer deri tani në spitalet publike dhe private 100% me financim nga FSDKSH.

Prej vitit 2015, pacientët shqiptarë përfitojnë paketat shëndetësore të nefrologjisë dhe kardiokirurgjisë pa pagesë, si në spitalet publike, ashtu edhe në ato jopublike. Pacientët përfitojnë 10 shërbime spitalore si dializa, transplanti i veshkave, trapia e flakjes akute, pacemaker definitiv, angiografi koronare, angioplastikë koronare, interventet valvolare, interventet kongenitale, bypass koronar, implanti koklear për fëmijët me probleme dëgjimi.

Këto paketa financohen 100% nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe zbatohen në bazë të protokolleve të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë. /k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.