OKB: Viti 2020 një nga tre më të nxehtët

UASHINGTON, 2 dhjetor /ATSH-ANSA/ – Viti 2020 duket se po bëhet një nga tre vitet më të nxehta të regjistruara, madje mund të tejkalojë edhe rekordin e vendosur në 2016, deklaroi Petteri Taalas, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Meteorologjike të Kombeve të Bashkuara, duke prezantuar raportin e vitit 2020 mbi gjendjen e klimës globale.

“Dekada 2011-2020 do të jetë më e nxehta e regjitruar ndonjëherë, me gjashtë vitet më të ngrohta që nga viti 2015”, tha OBM.

“Nxehtësia e oqeanit është në nivele rekord dhe mbi 80% e oqeanit global përjetoi një valë të nxehti detar gjatë vitit 2020, me pasoja të përhapura për ekosistemet detare që tashmë vuajnë nga ujëra më acidë për shkak të thithjes të dyoksidit të karbonit”, vazhdohet në raport.

Në këtë raporti, që bazohet në kontributet e dhjetëra organizatave ndërkombëtare dhe ekspertëve, shpjegohet ndikimi që shumë ngjarje, përfshirë nxehtësinë ekstreme, zjarret dhe përmbytjet, si edhe sezonin rekord të stuhive të Atlantikut, kanë patur mbi miliona njerëz, duke përkeqësuar kërcënimet ndaj shëndetit të njeriut, sigurisë dhe stabilitetit ekonomik të paraqitura nga pandemia e COVID-19./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.