OBSH: Përdorimi i maskave mbrojtëse në shtëpi në raste të caktuara

GJENEVË, 2 dhjetor /ATSH-DPA/ – Maskat mbrojtëse në shtëpi mund të mbahen për të parandaluar infektimet e reja me COVID-19, në rast vizitash nga jashtë dhe kur nuk është e mundur ruajtja e distancës fizike, rekomandoi Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Përveç kësaj, maskat në shtëpi duhet të mbahen gjatë vizitave kur është e paqartë nëse dhoma është ajrosur siç duhet, sipas një dokumenti të ri udhëzues që u botua sot në Gjenevë.

OBSH-ja kishte mbështetur mbajtjen e maskave në ambiente të ngushta, por nuk kishte përcaktuar udhëzimet për hapësirat private.

Agjencia shëndetësore e KB tani rekomandon, gjithashtu, një përdorim më të gjerë të maskave në objektet e kujdesit shëndetësor.

Personeli i administratës dhe punonjës të tjerë që nuk janë të përfshirë në kujdesin klinik u shtuan në listën e personave që duhet të mbulojnë hundën dhe gojën gjatë gjithë kohës.

Po ashtu, edhe pacientët duhet të mbajnë maska në situatat kur bien në kontakt të ngushtë me të tjerët.

Në fazën e hershme të pandemisë COVID-19, OBSH shprehu skepticizëm rreth maskave dhe nuk i mbështeti plotësisht ato./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.