Lleshaj, apel qytetarëve: Pajisuni me karta identiteti që të përfitoni shërbimet online

TIRANË, 2 dhjetor/ATSH/ Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ishte sot për inspektim në zyrën e aplikimit për dokumente biometrike, në Njësinë Administrative nr. 6, në Kombinat.

Ministri Lleshaj pa nga afër procesin e aplikimit dhe apeloi gjithë qytetarët që u skadojnë kartat e identitetit, të nxitojnë t’i rinovojnë, për të pasur mundësi të marrin shërbime në vijim.

Ai theksoi gjithashtu se ID karta do të jetë dokumenti për identifikimin e zgjedhësve në procesin e 25 prillit 2021.

Ministri njoftoi hapjen e 6 zyrave të reja të aplikimit për dokumente biometrike pranë Konsullatës në Bari, Itali, si dhe Ambasadave Shqiptare në Vjenë, Austri, në Paris, Francë, në Berlin, Gjermani, në Stokholm, Suedi dhe në Stamboll, Turqi.

Në këtë drejtim, Lleshaj ftoi qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë, të bëhen pjesë e procesit të regjistrimit të adresës së tyre në vendet ku banojnë.

“Vitet e fundit, Qeveria ka zgjeruar shumë përpjekjet për të rritur shërbimet ndaj qytetarëve. Sot jemi në një zyrë të tillë, ku ofrohen një kategori e madhe shërbimesh. Një pjesë e madhe e shërbimeve sot kanë kaluar online dhe numri i tyre po shtohet nga dita në ditë, ndaj kërkohet që qytetarët të bëhen pjesë e këtij procesi. Përmes shërbimeve online janë kursyer shumë andralla, shumë përpjekje, shumë kohë, shumë para, që qytetarët e shpenzonin për të marrë shërbime elementare, të cilat tani mund t’i marrin vetëm me një klik nga kompjuteri i shtëpisë së tyre nëse do të bëhen pjesë e këtij procesi”, tha ai.

Por, Lleshaj, tha se “që të bëhen pjesë e këtij procesi është e rëndësishme që qytetarët të mund të identifikohen, e për këtë arsye pajisja me ID kartë është thelbësore”. “ID karta është çelësi që hap derën për të gjitha këto shërbime online apo dhe në mënyrë fizike. Ndaj e shfrytëzoj mundësinë sot për t’u bërë thirrje qytetarëve që të nxitojnë për të aplikuar pranë zyrave të ndryshme të aplikimit, si kjo që jemi sot, apo të tjera në gjithë vendin, me qëllim që mos të befasohen kur t’u kërkohet kartë e re identiteti”, shtoi ai.

Lleshaj ftoi qytetarët të mos presin minutën e fundit, por të afrohen pranë zyrave të aplikimit, të aplikojnë për sa kushtet janë optimale dhe t’i mundësojnë vetes aksesin, të marrin çelësin e shërbimeve, jo vetëm për identifikimin e përgjithshëm, por dhe një numër të madh shërbimesh që do të ofrohen vetëm kundrejt ID kartës./m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.