Komisioni për Ekonominë dhe Financat ratifikon marrëveshjen për bashkëpunim ekonomik me Emiratet e Bashkuara Arabe

TIRANË, 2 dhjetor/ATSH/ Komisioni për Ekonominë dhe Financat ratifikoi marrëveshjen për bashkëpunim ekonomik me Emiratet e Bashkuara Arabe.

Marrëveshja, sipas kryetares së Komisionit Milva Ekonomi, parashikon bashkëpunimin në disa fusha ekonomike.

“Bashkëpunimin në fushën industrial konsiston në krijimin e fushave të specializuara teknike dhe ekonomike të lidhura me eksportet, krijimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme industriale dhe kalimin në ekonominë e njohurive, ashtu si dhe gjetjen e mënyrave dhe mekanizmave për krijimin e industrive të përbashkëta arabe-shqiptare që kombinojnë njohuritë e avancuara industrial të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe avantazheve të ngjashme të disponueshme të ekonomisë shqiptare”, bëri të ditur Ekonomi.

Në tregti dhe fushat tregtare, tha Ekonomi, bashkëpunimi konsiston në zhvillimin dhe rishikimin e masave të nevojshme për rritjen e tregtisë dhe përmirësimin e ndërsjelltë të aksesit në treg, shkëmbimin e ekspertizës në fushën e rieksportit si dhe projekteve dhe investimeve të orientuara nga eksporti, si dhe shkëmbimin e informacionit ekonomik dhe tregtar e ekspertizës mes dy vendeve.

Bashkëpunimi në fushën e investimeve, sipas kryetares së Komisionit, konsiston në shkëmbimin e informacionit mbi sistemet e ndryshme të investimeve, gjetjen e lehtësirave administrative, ligjore dhe financiare për mundësimin e sipërmarrjeve të përbashkëta midis dy vendeve apo vendeve të treta dhe sipërmarrjeve private, si dhe nënshkrimin e marrëveshjeve ekonomike për nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve apo dhe marrëveshjeve të tjera specifike sektoriale.

Ekonomi theksoi se, “në fushën e turizmit, bashkëpunimi konsiston në shkëmbimin e njohurive dhe përvojës, si dhe për projekte specifike të zhvillimit strategjik në turizëm dhe industri të ngjashme. Në fushën e transportit detar, ku përfshihen turizmi detar, bashkëpunimi konsiston në shërbimet për mirëmbajtje e anijeve etj, si dhe përfitimin nga mundësitë dhe përvoja në fushat rregullatore të transportit detar”.

Ndërsa tha ajo, në fushën e pronave/aseteve/objekteve të paluajtshme bashkëpunimi konsiston në blerjen e aseteve të paluajtshme në pronësi shtetërore dhe/ose investime të përbashkëta në projekte që përfshijnë zhvillimin e pronave shtetërore, në rast nevoje dhe u bazuar në marrëveshje specifike për mundësimin e investimeve në objekte dhe pasuri të paluajtshme në pronësi shtetërore bazuar në interesin e përbashkët mes palëve.

“Bashkëpunimi në fushën e bujqësisë dhe sigurisë ushqimore konsiston në, shkëmbimin e informacionit dhe njohurive në kulturat dhe proceset bujqësore, investimet në zhvillimin dhe zgjerimin e prodhimit bujqësor, investimet në sistemin e ujitjes dhe drenazhimit përfshirë blerjen dhe modernizimin e pajisjeve dhe infrastrukturës bujqësore, krijimin e qendrave të përbashkëta të eksperimentimit dhe kërkimit në bujqësi, pylltari dhe mbrojtjen e mjedisit si dhe bashkëpunimin për projekte bujqësore dhe sigurinë ushqimore”, bëri të ditur, Ekonomi. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.