Java e Integritetit/ Gjonaj: Forcim i mekanizmave parandalues në luftën kundër korrupsionit

TIRANË, 2 dhjetor/ATSH/ “Nxitja dhe formatimi i një mënyre sjellje etike dhe me integritet të lartë moral të të gjithë zyrtarëve në të gjitha nivelet, është ndër armët më efikase në luftën ndaj korrupsionit”, deklaroi sot ministrja e Drejtësisë, njëkohësisht Koordinatore Kombëtare kundër korrupsionit, Etilda Gjonaj.

Në konferencën mbi Integritetin men temë “Ekonomia, të Drejtat e Njeriut, Inovacioni dhe Media”, Gjonaj tha se “kjo maratonë aktivitetesh po shndërrohet në një traditë për të bërë së bashku të gjithë aktorët e sistemit, që luftojnë çdo ditë për praktika më të mira në drejtësi, në administratë, në biznes, në shoqërinë civile, në botën akademike dhe në organizatat ndërkombëtare”.

“Java e integritetit na mbledh për të vlerësuar arritjet e vitit që po lëmë pas, si dhe na krijon një hapësirë për të menduar për sfidat e reja që na presin; për të reflektuar e parë në mënyrë kritike fenomene të dëmshme, për t’u frymëzuar nga modele sjelljeje me vlerë, për të shkëmbyer mendime e gjeneruar ide inovatore, për të parë probleme të përbashkëta nga këndvështrime të ndryshme e për të bashkëpunuar fort për t’i zgjidhur ato bashkë. Kjo iniciativë dhe ky bashkëpunim, tregon se ne si komunitet besojmë në një shoqëri të ngritur mbi themele integriteti, dhe se jemi të gatshëm të punojmë për të përcjellë këtë vlerë në çdo fushë, çdo sektor, dhe tek çdo individ”, tha Gjonaj.

Ajo shprehu besimin se “vetëm nëse vendosim integritetin si vlerën bazë të punës tonë, do të mund të ndërtojmë hap pas hapi modelin e shoqërisë, ku duam të jetojmë”.

“Kjo frymë ka udhëhequr reformat madhore të ndërmarra vitet e fundit. Konkretisht, reforma në drejtësi ka vendosur integritetin në themelet e funksionimit të shtetit të së drejtës, ku përmes instrumentit të rivlerësimit kalimtar, përcaktimit të kritereve të integritetit për emërimet në pozicionet më të larta në gjyqësor dhe prokurori, si dhe ngritjen e një sistemi të organeve të reja të luftës kundër korrupsionit po i jepet fund një epoke të kulturës së pandëshkueshmërisë e po hapet një epokë tjetër për funksionimin e gjyqësorit në vend”, tha Gjonaj.

Në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit, Gjonaj tha se “kemi ndërmarrë iniciativa të shumta, ku dhe mekanizmat sistemike të premtuar një vit më parë tashmë janë në fazë zbatimi dhe me shumë vendosmëri e përgjegjësi po çohen deri në fund, ndër të cilat vlen të përmenden”.

“Ngritja e Rrjetit Antikorrupsion të Koordinatorëve në çdo agjenci kyçe që ofron shërbime, për të përmirësuar fytyrën e administratës përballë qytetarit dhe për ta bërë këtë të fundit aleat në identifikimin dhe adresimin e rasteve korruptive; Rritjen eksponenciale të digjitalizimit të shërbimeve të ofruara qytetarëve, duke luftuar kështu korrupsionin e vogël në sportele përmes 759 shërbimeve që ofrohen online nga portali e-Albania për qytetarët dhe bizneset; Rritjen e transparencës së institucioneve, përmes dokumentesh strategjikë e iniciativash ligjore, për ta bërë qeverisjen më të hapur ndaj publikut”, tha ajo.

Po ashtu, Gjonaj nënvizoi “ndjekjen në mënyrë rigoroze për të plotësuar të gjitha rekomandimet e strukturave ndërkombëtare të specializuara në luftën kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave, që na monitorojnë e këshillojnë, si MONEYVAL, ICRG/FATF, si dhe GRECO, ku së fundmi Shqipëria ka shënuar një ndër rezultatet më të mira në rajon, duke plotësuar plotësisht 9 nga 10 rekomandimet e raundit të katërt të vlerësimit”.

Ajo shtoi se “kemi forcuar mekanizmat parandalues në kuadër të luftës kundër korrupsionit”.

“Miratimi i Metodologjisë së vlerësimit të riskut për institucionet qendrore dhe Planit të Integritetit për Ministrinë e Drejtësisë, që do të shtrihet si praktikë në të gjithë institucionet e varësisë dhe në Ministritë e linjës, përbën një instrument të fuqishëm në dorën e secilit institucion që të përmirësojë qeverisjen e mirë, menaxhimin e mirë, rritjen e efiçencës dhe të rrënjosë kulturën e etikës në administratën publike”, tha Gjonaj.

Sipas saj, “asnjë nga ligjet e miratuara, asnjë nga sistemet e ngritura apo mekanizmat e ndërtuara nuk do të kishte vlerë, nëse ata që e përçojnë nuk ndajnë të njëjtat vlera”.

“Integriteti është sistem vlerash, i cili duhet të bëhet pjesë e pandashme e kulturës tonë institucionale. Integriteti na vesh me dinjitetin që duhet t’ia kthejmë administratës publike, sepse është e vetmja vlerë që do i kthejë besimin qytetarëve dhe bizneseve në funksionimin e institucioneve. Besimi i qytetarëve mund të cenohet lehtësisht nga një akt i parregullt i cilitdo zyrtar publik, qoftë ky i nivelit të ulët apo të lartë, duke njollosur kështu të gjithë administratën dhe duke impaktuar imazhin e çdo zyrtari që punon me ndershmëri e devotshmëri. Këto sjellje cenojnë rëndë të mirën publike, marrin çdo herë nga pak nga të gjithë ne. Megjithatë, nëse e ndryshojmë perspektivën, nëse e shohim me këtë lente rezultatin fundor të një sjelljeje korruptive, do të mund ta vlerësojmë më shumë integritetin, do ta aspirojmë më shumë dhe më shumë do ta kemi”, tha ajo.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.