Gjermania mbetet mbështetësi kryesor i fillimit të bisedimeve për anëtarësim

TIRANË, 2 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi sot se “Gjermania mbetet mbështetësi kryesor i një procesi të rëndësishëm, tashmë të sigurt që lidhet me fillimin e bisedimeve për anëtarësim”.

Në një prononcim për mediet, Balla u shpreh se “Gjermania në këto 6 muaj ka Presidencën e BE-së dhe nuk duhet të harrojmë që Gjermania flet duke sjellë të gjitha sensibilitetet e vendeve anëtare”.

“Në rast se ka vende, si diskutimi mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, të cilët kanë përdorur të drejtën e vetos për të caktuar datën e mbledhjes së parë të konferencës ndërqeveritare kjo tregon se nuk ka një konsensus brenda 27 vendeve anëtare të BE-së”, tha Balla.

Ai theksoi se “gjithsecili duhet të kuptoj se nuk bëhet fjalë për një ndryshim të qëndrimit të Gjermanisë”.

“Gjermania në çdo moment ka pasur gatishmërinë që konferenca ndërqeveritare të mbahet në dhjetor të këtij viti, në përfundim të presidencës gjermane. Dy presidencat që vijnë më pas do t’i kenë në prioritetet e veta, por do të presim dhe do t’i shikojmë”, shtoi ai.

Balla tha se “në momentin që ne flasim po zhvillohet mbledhja e përfaqësuesve të vendeve anëtare në Bruksel”.

Lidhur me krijimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ligjin e medies, Balla tha se “të dyja këto çështje janë në proces për të marrë një zgjidhje shumë të mirë”.

“Shqipëria në ditët në vijim do të ketë anëtarë të rinj të Gjykatës Kushtetuese dhe do të ketë një ligj për mediet, i cili është në të njëjtin linjë me betejën që  ka shpallur BE në fillim të kësaj jave, lajmeve të rreme dhe dezinformimit”, tha Balla.

Për sa i përket miratimit në Kuvend të ligjeve që shoqërojnë Kodin Zgjedhor, Balla tha se “ligjet që burojnë nga marrëveshja e 5 qershorit janë në një proces shumë të rëndësishëm diskutimi në komisionin e Ligjeve”.

“Ligjet duhet të jenë në konformitet me Kushtetutën e vendit dhe me parimet e patjetërsueshme të reformës në drejtë. Ne po vazhdojmë punën. Komisioni po vazhdon diskutimin, konsultimin dhe me institucionet që kanë asistuar që ditën e parë reformën në drejtësi dhe Kuvendi i Shqipërisë asnjëherë nuk ka marrë vendime që mund të bien ndesh me parimet themelore të reformës në drejtësi”, shtoi ai.

Balla tha se “këto ligje nuk janë nesër në rendin e ditës por Kuvendi do të vazhdojë punën deri në fund të këtij sesioni dhe jam i sigurt se do të miratohen”. “Janë të domosdoshme. E rëndësishme është që edhe pse mund të kemi pasur divergjenca, tashmë jemi në kushtet e një respektimi të plotë të të gjitha çështjeve që kanë buruar nga marrëveshja e 5 qershorit dhe ajo e 23 korrikut me opozitën parlamentare”, tha ai.

I pyetur lidhur me procesin për votën e emigrantëve, Balla tha se “ne i kemi qëndruar fjalës tonë për të garantuar votën për shqiptarët që jetojnë jashtë territorit. Duhet të kuptojmë se fatkeqësisht, për shkak të vonesave që na shkaktoi PD dhe pjesa tjetër e opozitës jashtëparlamentare, kemi pasur një vonesë në dhënien e mekanizimit të KQZ për formatin e ri për të krijuar një platformë ku shqiptarët që jetojnë jashtë territorit të regjistrohen”.

“ Sikurse e ndoqët dhe në zgjedhjet e SHBA, ata që ndodhen jashtë territorit mund të votojnë por duhet paraprakisht të regjistrohen. Unë i bëj thirrje çdo emigranti të regjistrohet. Nuk ka shqiptar që jeton jashtë territorit që nuk ka dëshirë të marrë pjesë në procesin e përzgjedhjes së përfaqësuesve të popullit. Pra, është shumë e rëndësishme që shqiptarët që jetojnë jashtë territorit të regjistrohen. Uroj që ky proces të ecë sa më shpejt. Nga aspekti legjislativ nuk ka më pengesa për votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit”, tha ai. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.