COVID-19/ Tomini: Të gjitha strukturat shëndetësore në kapacitete të plota, qytetarët të përgjegjshëm për zbatimin e masave

TIRANË, 2 dhjetor/ATSH/ Specialistja e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini, duke folur për situatën e COVID-19 në vend tha sot se “të gjitha strukturat shëndetësore për t’iu përgjigjur epidemisë aktuale të valës së dytë sigurisht janë në kapacitete të plota”.

Në një intervistë televizive Tomini theksoi se “Covid 4 është i hapur në shërbim të pacientëve që do të kërkojnë trajtim spitalor, por deri në momentet e kalimit të fazë pas faze të atyre skenarëve të parashikuar që në planet e strategjisë vjeshtë dimër jemi akoma herët në mbylljen gjeografike apo kombëtare të Shqipërisë përsa i përket epidemisë”.

“Nuk është vetëm pozitiviteti një nga indikatorët  që na çon drejt mbylljes gjeografike apo kombëtare. Përveç pozitivitetit kemi edhe sa i përgjigjemi shërbimit shëndetësor të pacientëve, sa janë kapacitetet shfrytëzuese të shtratit, nëse kemi shtretër për të përballuar situatën”, – tha Tomini.

Sipas saj, edhe numri i vdekjeve ka patur një trend rritës në dy javët e fundit dhe është një ndër indikatorët monitorues.

Duke folur për sigurinë në spitale, Tomini tha se “nuk do bashkohesha me asnjë lloj gjykimi apo ngjyre politike duke i dhënë ngjyra dhe politika anës shëndetësore. Detyrimi i shërbimit ndaj një pacienti nuk njeh ngjyra, nuk njeh politikë. Nuk mund të paragjykoj apo gjykoj kolegët e mi mbi përkushtimin, devotshmërinë apo profesionalizmin përkundrejt çdo rasti të hospitalizuar”.

“Veshja e një bluze të bardhë ka vlera humane dhe profesionale, por nuk duhet harruar edhe vlera ligjore. Përpara këtyre tre parametrave një mjek human mban edhe përgjegjësinë ligjore”, – shtoi Tomini.

Tomini bëri thirrje gjithashtu qytetarëve të vijojnë të zbatojnë masat dhe të jenë më të përgjegjshëm./k.s//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.