Buxheti 2021, në fokus rindërtimin e pandeminë/ Denaj: Shpenzimet 7.2% e PBB-së, me investimet nxisim konsumin

TIRANË, 2 dhjetor/ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi sot se buxheti i vitit 2021 është një buxhet realist dhe jo elektoral.

“Ky buxhet parashikon jo vetëm shpenzime në rritje, të cilat janë të domosdoshme për të adresuar nevojat për rindërtimin, për të përballuar situatën e pandemisë, por njëkohësisht për të mbështetur edhe biznesin. Në çdo moment kemi folur për një situatë të buxhetit 2021 jashtë formatit të emergjencës. Ne kemi arritur të menaxhojmë një krizë që në radhë të parë është krizë konsumi e siguruar nga situata nga pandemia. Viti që vjen do të sjellë një kthim të konsumit, e nxitur nga kthimi i besimit drejt konsumit por dhe investimet publike”, u shpreh ministrja.

Nëse flasim për një ekonomi që duhet të gjenerojë konsum, theksoi ministrja, ne duhet të flasim për nxitje të këtij konsumi dhe konsumi në 90% kontribuon në rritje e produktit të brendshëm bruto.

Ministrja Denaj theksoi se shpenzimet buxhetore për vitin që vjen janë 7.2% e PBB-së që përbën edhe shifrën më të lartë në këto 10 vite. Kjo, tha Denaj, është një stimul shumë i lartë që do të injektohet në ekonomi.

“Ne, parashikojmë një vit, i cili do të përballojë vështirësitë, si të nevojës për investime të infrastrukturës spitalore, ashtu edhe mbështetjen me ndihmë ekonomike të shtuar, sepse janë shtuar buxhetet në raport me ndihmën ekonomike, pasi kemi një fond prej 24 miliardë lekësh dhe mbi të gjitha kemi shtuar koston e përballueshmërisë së vaksinës me 6 miliardë lekë. Njëkohësisht janë menduar një sërë skemash të cilat mund të kthejnë vëmendjen drejt punësimit”, shpjegoi Denaj.

Denaj hodhi poshtë deklaratat e opozitës se buxheti është elektoral, pasi vuri në dukje ajo, këtë nuk e lejon ligji që është i miratuar në Kuvend në të cilin përcaktohet që në një vit elektoral nuk mund të shpenzohet më shumë se 30% e buxhetit gjatë 3-mujorit të parë dhe jo më shumë se 40% e buxhetit gjatë 6-mujorit të parë.

Denaj shpjegoi edhe se ku do të gjenden paratë në rast të një tjetër situatë emergjence, që lidhet me mbylljen e ekonomisë.

“Në rast se do të kemi një situatë emergjence në ekonomi që do të thotë një mbyllje tjetër të saj ne i kemi gati skenarët që parashikojnë ngritjen e shpenzimeve buxhetore të panevojshme, duke nisur nga ato të PPP, ashtu siç vepruam edhe këtë vit, në të cilin kemi ulur me 4.5 miliardë lekë shpenzimet për PPP, ngrihen shpenzimet operative dhe ato kapitale”, tha ajo.

Brenda këtij buxheti, theksoi Denaj, siguruam jo vetëm ndihmën e shtuar për personat me ndihmë ekonomike por edhe ndihmën e drejtëpërdrejt prej 13 miliardë lekësh për 300 mijë persona.

Paratë e buxhetit 2021, tha ministrja Denaj, shkojnë për shëndetësinë, pagat e mjekëve, arsimtarëve, rindërtimin dhe infrastrukturën, për të përfunduar punë të nisura publike që të mos arrijmë as të Unaza e Madhe e as te rruga e Arbrit edhe pas kaq shumë vitesh.

Po ashtu ministrja Denaj, tha se kemi akorduar më shumë para për ndihmën ekonomike.

“Ministria e Financave duhet të merrte meritë për menaxhimin me efektivitet e sukses të financave në dy kriza që s’kanë ndodhur kurrë ndonjëherë“, deklaroi Denaj.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.