BRUKSEL – Barnier: Një marrëveshje postBrexit ende e pasigurtë

BRUKSEL, 2 dhjetor /ATSH-AFP/ – Kryenegociatori i BE-së me Britaninë e Madhe, Michel Barnier konfirmoi sot për shtetet anëtare se një marrëveshje tregtare me Londrën vazhdon të mbetet e pasigurtë, një muaj nga përfundimi i periudhës së tranzicionit post-Brexit, sipas burimeve europiane.

“Ne po i afrohemi shumë shpejt momentit kur kjo do të ndodhë ose do të prishet”, konfirmoi një diplomat europian.

“Këtë mëngjes, kapaciteti i negociatorëve për të kapërcyer mosmarrëveshjet e tyre vazhdon të mos jetë i qartë”, shtoi ai.

“Barnier nuk mund të thotë nëse kushtet për një marrëveshje do të plotësohen në ditët në vijim”, shtoi një burim tjetër duke konfirmuar se 36 orët e ardhshme, deri të enjten në mbrëmje, do të ishin vendimtare.

Ka mbetur shumë pak kohë në Londër dhe Bruksel për të rënë dakord mbi një tekst që do të hyjë në fuqi më 1 janar, kur Britania e Madhe, e cila u largua zyrtarisht nga BE në 31 janar, do të ndërpresë përfundimisht aplikimin e rregullave europiane.

Diskutimet, të cilat filluan në mars, vazhdojnë të kenë pengesa në tri pika, aksesi i peshkatarëve europianë në ujërat britanike, garancitë e kërkuara nga britanikët përsa i përket konkurrencës dhe mënyra për të zgjidhur mosmarrëveshjet në marrëveshjen e  ardhshme.

Negociatat rifilluan në Londër këtë fundjavë dhe do të vazhdojnë deri të enjten./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.