Zgjedhjet e 25 prillit 2021/ Publikohet ekstrakti i tretë i listave zgjedhore

TIRANË, 1 dhjetor/ATSH/ Ministria e Brendshme publikoi sot sipas përcaktimeve ligjore, ekstraktin e tretë të listave zgjedhore për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, të datës 25 prill 2021.

Ekstrakti i parë i përbërësve zgjedhorë u publikua në 5 tetor 2020, ndërsa ekstrakti i dytë në 2 nëntor 2020.

Sipas Ministrisë, Zyrat e Gjendjes Civile në bashki apo njësi administrative, kanë detyrimin ligjor të printojnë ekstraktin e tretë të përbërësve zgjedhore sipas vendbanimit dhe qendrave të votimit, nën juridiksionin e tyre territorial.

Ky ekstrakt, si edhe dy të parët, firmoset nga Kryetari i Bashkisë dhe publikohet në ambientet e bashkive/njësive administrative/në vende me hyrje të lirë të aksesueshme për publikun, ku çdokush mund të verifikojë emrin në listë.

Ministria e Brendshme informon se duke nisur nga data 4 dhjetor 2020, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile do të nisë verifikimet për publikimin e listës së tretë të zgjedhësve.

“Procesi i hartimit të Listës së Zgjedhësve kryhet nën mbikëqyrjen e auditëve teknicienë të KQZ-së, me akses të plotë në çdo etapë të këtij procesi. Çdo qytetar mundet të verifikojë edhe online emrin në listën zgjedhore, përmes portalit qeveritar e-Albania:https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx?service_code=12416”, thuhet në njoftim.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.