Vetëdeklarimi i burimeve të pasurisë/ OFL u dërgon formularin 5 të dënuarve për vepra të rënda penale

TIRANË, 1 dhjetor/ATSH/ Vijon pa ndërprerë Operacioni “Forca e Ligjit”, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020.

Gjatë 24 orëve të fundit u është dërguar kërkesa me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë pesë personave të dënuar për vepra të rënda penale, si “Vrasje me paramendim”, apo “Kultivim Narkotikësh” dhe “Vjedhje”

Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve: A. N., banues në Lezhë, i dënuar për veprat penale “Vjedhja me dhunë”, e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”; N. J., banues në Lezhë, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”; I. P., banues në Elbasan, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”; A. M., banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim; E. D., banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.