UASHINGTON – Deputetët amerikanë propozojnë planin e ri të ndihmës antiCOVID-19

UASHINGTON, 1 dhjetor /ATSH-AFP/ – Një grup deputetësh demokratë dhe republikanë zbuluan sot një propozim projektligj prej 900 miliardë dollarësh në një përpjekje për të rifilluar bisedimet e bllokuara në Capitol Hill, ndërsa rastet e COVID-19 rriten në të gjithë vendin.

Propozimi përfshin fonde për të ndihmuar bizneset e vogla, një zgjerim të përfitimeve të rritura të papunësisë dhe mbështetje fiskale për shtetet dhe qeveritë lokale.

Ai përfshin, gjithashtu, më shumë fonde për nevojat e kujdesit shëndetësor dhe ndihmën me qira.

Republikanët po bëjnë presion për një projektligj më të ngushtë, të synuar, me vlerë disa qindra miliardë dollarë, ndërsa demokratët fillimisht propozuan mbi tre trilionë dollarë lehtësim, por deri më tani kanë arritur në 2,2 trilionë.

Liderët e dy partive në Kongres nuk kanë zhvilluar bisedime që para zgjedhjeve muajin e kaluar.

“Politico” dhe “CNBC” raportuan se Sekretari i Thesarit, Steven Mnuchin dhe Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, do të kontaktojnë drejtpërdrejtë më vonë në mbrëmje./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.