Sistemi bankar uli në 3.14% interesat e kredive në lekë për shtëpi

TIRANË, 1 dhjetor /ATSH/ Interesat e kredive në lekë për shtëpi në muajin tetor të këtij viti shënuan nivelin më të ulët, si asnjëherë më parë, duke u luhatur në nivelet minimale rekord.

Banka e Shqipërisë, bën të ditur se, në muajin tetor 2020, norma mesatare mujore e kredisë për blerje banesash në lekë shënoi 3,14%.

Kreditë për shtëpi janë të preferuara nga bankat, pasi ka rezultuar që ato kanë një nivel të ulët të kredive të këqija, ndërsa individët janë të prirur të paguajnë këstet për të mos humbur shtëpitë e lëna si kolateral.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, bankat lehtësuan standardet e kreditimit për individët në tremujorin e tretë të vitit 2020. Lehtësimi i standardeve u aplikua si për kreditë konsumatore, ashtu edhe për ato në blerjen e banesave.

BSH pret që edhe në tremujorin e fundit të 2020, bankat t’i lehtësojnë më tej standardet e kreditimit për individët, kryesisht në kreditë konsumatore. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.