Siguria ushqimore/ AKU kryen 549 inspektime dhe monitorime në 24 orët e fundit

TIRANË, 1 dhjetor/ATSH/ Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) po vijon në terren kontrollin dhe monitorimin e bizneseve për zbatimin e protokolleve të përcaktuara nga autoritetet në kuadër të luftës për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Sipas AKU-së, janë kryer 549 inspektime dhe monitorime në 24 orët e fundit.

“Gjatë kontrolleve zyrtare për garantimin e sigurisë ushqimore në operatorë të biznesit janë dhënë 29 masa me paralajmërim përgjithësisht për rinovim të librezave shëndetësore, rinovim të analizave të ujit dhe planit DDD”, bën të ditur AKU.

Referuar Planit të Marrjes së Mostrave janë marrë 27 mostra në monitorim të produktit qumësht. AKU si pjesë e Taskforcës antiCovid vijon me monitorimet në të gjitha kategoritë e bizneseve për zbatim të protokolleve.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka kryer inspektime dhe monitorime dhe ka këshilluar 528 qytetarë për mbajtjen e maskës në zbatim të protokolleve të sigurisë.
Gjatë monitorimit është konstatuar se subjektet i respektojnë kushtet higjieno-sanitare dhe respektohet përdorimi i dorezave dhe maskave./k.s//a.a/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.