Rimëkëmbja e turizmit, ratifikohet marrëveshja e huasë prej 60 milionë eurosh me BERZH-n

TIRANË, 1 dhjetor/ATSH/ Komisioni për Ekonominë dhe Financat ratifikoi marrëveshjen e huasë me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për programin për zhvillimin e turizmit dhe infrastrukturës në Shqipëri”.

Kesjana Halili, drejtoreshë e përgjithshme e Borxhit, në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë u shpreh se marrëveshja e huasë për programin për zhvillimin e turizmit dhe infrastrukturës në Shqipëri është në shumën prej 60 milionë eurosh. “Shuma totale e financimit të programit është 100 milionë euro, nga ku 40 milionë euro grant dhe 60 milionë euro hua”, theksoi Halili.

Relatori i projektligjit, Vullnet Sinaj tha se ky program synon rritjen e kontributit të turizmit të qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm ndaj rritjes ekonomike të Shqipërisë dhe do të zbatojë e testojë modelin e zhvillimit ekonomik lokal të udhëhequr nga turizmi në territoret e bashkive: Fier, Berat, Shkodër e Korçë, i përqendruar në një numër të modeleve pilot të trashëgimisë kulturore dhe natyrore, si dhe mjeteve të destinacioneve të tjera lokale.

Destinacione turistike më të shumta dhe më tërheqëse do të rrisin shpenzimet e turistëve, kohëzgjatjen e sezonit turistik, mundësitë e punësimit për popullsinë lokale dhe të ardhurat në zonat e synuara.

Modeli do të shtrihet në vende të tjera, të cilat do të zgjidhen në bazë të nevojave dhe të potencialeve të tyre për zhvillim lokal, në përputhje me politikën e zhvillimit rajonal shqiptar.

Bashkitë mund të marrin mbështetje për përmirësimin e infrastrukturës së tyre, lidhjen rajonale dhe shërbimet bashkiake. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.