Pandemia godet transportin hekurudhor, ulet me 51% volumi i mallrave

TIRANË, 1 dhjetor/ATSH/ Në muajin tetor të këtij viti, volumi i mallrave të transportuara me hekurudhë është 2.315 mijë ton-kilometër, shifër kjo 51% më e ulët, krahasuar me tetorin e 2019-s.

Ndërsa rënie të madhe volumi i mallrave të transportuara me hekurudhë shënoi edhe përgjatë dhjetëmujorit.

Sipas INSTAT, volumi i mallrave të transportuar me hekurudhë është 20.940 mijë tonkilometër, duke u ulur me 41,9%, krahasuar me dhjetëmujorin e vitit 2019.

Ndërkohë, në fund të muajit tetor të këtij viti është finalizuar edhe procesi përzgjedhës për kompaninë që do të ndërtojë hekurudhën Tiranë-Durrës, me degëzim në Rinas, duke i hapur në këtë mënyrë rrugë nisjes së punimeve për këtë vepër të rëndësishme dhe të shumëpritur prej vitesh. Ajo do të jetë kompania italiane INC S.P.A, e cila paraqiti ofertën më të ulët në shumën 69.7 milionë euro u shpall fituese dhe do të ndërtojë linjën hekurudhore.

INC S.P.A është një ndër kompanitë kryesore në Itali në fushën e infrastrukturave të mëdha.

I gjithë procesi për përzgjedhjen e kompanisë fituese u bë në bashkëpunim të ngushtë mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Projekti për hekurudhën Tiranë-Durrës parashikon që krahas ndërtimit të një linje të re për në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, edhe modernizimin e linjës ekzistuese Tiranë – Durrës nëpërmjet përmirësimit të karakteristikave gjeometrike dhe operacionale të vijës hekurudhore në përputhje me standardet e BE-së.

Projekti i rehabilitimit të hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimit të zgjatimit të ri në Rinas është pjesë e Axhendës së Konektivitetit, që synon lidhjen mes rajonit e më gjerë me Europën, dhe në kuadër të Nismës së Berlinit, projektet që kualifikohen mund të tërheqin grante dhe financime nga donatorët.

Ky projekt paraqet edhe një risi në lëvizjen e pasagjerëve drejt aeroportit “Nënë Tereza” nëpërmjet përdorimit të trenit që do konkurrojë drejtpërsëdrejti me përdorimin e makinave private, duke ndikuar edhe në përmirësimin e qarkullimit të makinave në oraret e pikut të lëvizjes. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.