Pampuri: 1 maskë mbrojtëse kushton 3 herë më shtrenjtë, qeveria hesht

TIRANË, 1 dhjetor/ATSH/ Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Orjola Pampuri reagoi sërish sot lidhur me tenderat për blerjen e maskave mbrojtëse, të cilat sipas saj, “blihen 3 herë më shtrenjtë”.

“Prej dy ditësh ne kemi bërë publik një rast flagrant të abuzimit dhe vjedhjes së taksave të shqiptarëve në emër të pandemisë, por qeveria vazhdon të heshtë. Kanë blerë pajisje antiCOVID me vlerë 3 herë më të lartë, duke skualifikuar ofertat e tjera që ofronin të njëjtin shërbim me 1 milion euro”, tha ajo.

Pampuri tha se “1 maskë mbrojtëse kushton 3 herë më shtrenjtë dhe një palë çizme plastike blihen me trefishin e çmimit”.

“Me 3 milionë euro, e cila ishte edhe oferta më e lartë, mund të ishin blerë pajisje mbrojtëse te paktën edhe për 3 spitale të tjerë rajonalë dhe njerëzit e sëmurë nuk kishin pse prisnin ambulancave për një shtrat”, tha ajo./m.m/j.p/R.E/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.