OTAVA – Kanadaja regjistron rritje të PBB-së në T3

OTAVA, 1 dhjetor /ATSH-AFP/ – Kanadaja doli nga recesioni në tremujorin e tretë, me një kthim rekord në PBB prej 40,1% mbi bazë vjetore, njoftoi sot Agjencia zyrtare kanadeze  e Statistikave.

“Aktiviteti ekonomik në muajt e fundit të verës u shënua nga një rimëkëmbje e fortë në investimet në pasuri të paluajtshme, shpenzimet familjare për mallra të qëndrueshme dhe eksporte”, tha “Statistics Canada” në një deklaratë.

“Kjo rimëkëmbje u stimulua veçanërisht nga normat e favorshme të interesit të hipotekave, vazhdimi i masave të qeverisë për mbështetjen e individëve dhe bizneseve të prekura nga pandemia dhe rritja e ekonomisë së partnerëve kryesorë tregtarë të Kanadasë në tremujorin e tretë”, shtoi instituti.

Ekonomia kanadeze hyri në recesion në tremujorin e dytë me një kolaps historik të PBB-së me mbi 38%, pas një tkurrjeje prej 8,2% në tremujorin e parë, për shkak të paralizimit të aktivitetit për të frenuar pandeminë e COVID -19.

Kjo rritje është më e forta e regjistruar që kur të dhënat e krahasueshme filluan të përpiloheshin në vitin 1961./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.