TIRANË, 1 dhjetor/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi zhvilloi një vizitë në shkollën 9-vjeçare “Edit’h Durham” në Tiranë ku ka bashkëbiseduar me nxënës e mësues në lidhje me nisjen e mësimit të kombinuar.
“Më vjen mirë që shkolla ka përshtatur në mënyrë optimale oraret e reja në funksion të mbarëvajtjes së procesit mësimor dhe mbrojtjes së shëndetit të gjithsecilit”, u shpreh Kushi.
“Gjej rastin sërish të përcjell një falënderim të përzemërt për çdo mësues, nxënës e prind për mirëkuptimin e treguar në këtë kohë të pazakontë dhe përshtatjen me sfidat e përbashkëta që kemi të gjithë përpara”, përfundoi ministrja Kushi.
Si masë parandaluese ndaj përhapjes së pandemisë, Komiteti Teknik i Ekspertëve rekomandoi mësimin e alternuar.
Klasat e arsimit fillor, nga e para në të pestën, dhe klasa e 12-të (maturantët) do të zhvillojnë normalisht procesin mësimor në mjediset fizike të shkollës – njësoj siç kanë vepruar deri më tani me skenarin 1 të Udhëzuesit për fillimin e vitit shkollor 2020 – 2021, ndërsa klasat nga e 6 në të 9, si dhe klasat 10 dhe 11 do të zhvillojnë mësimin e alternuar.
/j.p/r.e/