Kryemadhi: Situata e pandemisë e keqmenaxhuar nga qeveria

TIRANË, 1 dhjetor /ATSH – I. Vata/ “Situata e pandemisë është keqmenaxhuar nga qeveria”, deklaroi sot kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, e ftuar në një emision televiziv, ndërsa tha se duhet vullnet politik dhe dëshirë për t’iu përgjigjur situatës.

Ajo tha se e kishte kaluar COVID-19 në shtator dhe nuk është se nuk e beson COVID-in.

“Qeveria e ka keqmenaxhuar situatën, por mendoj se po të ketë vullnet politik dhe dëshirë të mirë dhe për t’iu përgjigjur në kohë gjithë problematikave që dalin në këtë situatë pandemie, situata do të zgjidhet”, tha Kryemadhi.

Në lidhje me qëndrimin e saj politik për mosmbajtjen e maskës, Kryemadhi tha se maska është mjeti i fundit i mbrojtjes së çdo qytetari nga COVID-19.

“Për sa i përket mbrojtjes së qytetarit në radhë të parë është informacioni që ata kanë të nevojshëm, shërbimi i mjekut informimi që vjen në  shërbimit të mjekut, tamponët, testimet, izolimi, gjurmimi, kurimi dhe në fund fare vjen përdorimi i maskës. Revolta ime ka qenë se nuk është maska ajo që largon COVID-in ashtu sikurse edhe antitanket që kryeministri dha urdhër për t’i nxjerrë në bulevard, se mendonte se armët do të zhduknin virusin. Vjen si rezultat të keqmenaxhimit për shkak të mungesës së shërbimit shëndetësor në të gjitha qendrat shëndetësore kudo që janë, të shkatërrimit të sistemit shëndetësor. Ne kemi premtuar shëndetësi falas dhe sot me qindra mjekë janë larguar nga Shqipëria. Ju kemi ofruar mjekim falas dhe nuk ka jo vetëm mjekim falas, por kanë mjekimin më të shtrenjtë, ku vetëm një ampulë gjendet 900 euro, apo bombulat e oksigjenit. Nuk pati menaxhim për dezinfektimin e spitaleve, dhe vetëm një spital u kthye në COVID”, tha ajo.

Në lidhje me mbylljen e shkollave, Kryemadhi tha se mbyllja nuk duhet shoqëruar me mësim online. Ajo tha se LSI propozon mësim në komunitet.

“Në një tryezë që kemi patur ne për arsimin është një variant i cili diskutohet. Mbyllja e shkollave nuk ka të bëjë me programe politike. Mbyllja e shkollave kërkon mjekë, specialistë të mirëfilltë dhe kjo zgjidhet shumë mirë. Sot ka mijëra mësues që kanë dalë në pension dy-tre vitet e fundit por dhe shkollat private, ashtu siç janë dhe studentët e masterit, apo mësues të hequr nga sistemi arsimor për shkak të bindjeve politike, mund të ketë mësimi në komunitet. Në qytete e e mëdha ne kemi administratorët e pallateve që kanë një databazë të fëmijëve në shkolla dhe mund të vazhdonin mësim në ambiente e pallateve”, tha ajo.

Duke u ndalur te Kodi i ri Zgjedhor Kryemadhi tha se, “opozita mund të dalë në disa qarqe me lista me lista të përbashkëta dhe në disa qarqe me lista të ndara, duke bërë kalkulimet që maksimalizojnë rezultatin”. Rama tha ajo, shpresoi për një çarje të opozitës por kalkulimet e favorizojnë atë.

“Ka një problem në fakt. Nuk do ta shikoja në atë kontekst që doni ta merrni ju. Kodi i ri zgjedhor kërkon kalkulim. Çfarë do të thotë? Në Tiranë mund të jesh me dy lista në një qark tjetër mund të jesh me një listë. Kjo është maksimizimi i votës. Diku tjetër mund të jesh dhe me 3 lista. Ajo që dua të theksoj është se, në fakt ka një çorientim që jep opinioni. Fuqia e koalicionit opozitar, si me një, dy apo tre lista është e pashmangshme, llogaritë të japin një probabilitet shumë të madh opozitës. Dhe çfarë dua të them tek kjo?
Rama mendonte se do të ndodhte kjo përçarja që ku është PD, LSI, PAA, PR etj”, tha Kryemadhi.

“Ne akoma nuk kemi një vendim të Komisionit të Venecias dhe për ne që është shumë e rëndësishme, tjetërsimi i votës në kuti, nuk ta ndryshon Kodi Zgjedhor. Si me 3, 30, 33 vota ato aty janë nuk ndryshojnë. Nëse ne do të kishim, do të ishte kaq humbëse opozita, pse Rama do të vraponte të bënte ndryshimet kushtetuese që presidenti duhet të dekretojë partinë e parë që del me vota. Për mua PS nuk del e para”, u shpreh Kryemadhi.

 

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.