Konferenca COSAC e organizuar nga Bundestag/ Mesi: Shqipëria mori vlerësim për reformat e bëra deri tani

TIRANË, 1 dhjetor /ATSH – I. Vata/ Deputetja e PS-së Senida Mesi ka marrë pjesë si nënkryetare e Komisionit të Integrimit Europian në Kuvendin e Shqipërisë, në Konferencën virtuale dyditore të Komisioneve Parlamentare për Çështjet e Unionit të Parlamenteve të Bashkimit Europian (COSAC), organizuar nga Bundestagu gjerman në bashkëpunim me Bundesrat.

Lajmi bëhet i dituar nga deputetja e PS-së Mesi e cila shprehet se Shqipëria mori vlerësim për reformat e bëra deri tani, edhe pse kërkohet avancim i mëtejshëm i tyre për të realizuar Konferencën e Parë Ndërqeveritare. Konferenca u fokusua tek mësimet e marra nga kriza e koronavirusit dhe bashkëpunimi në BE në rast të pandemive dhe në kujdesin shëndetësor.

“Kancelarja Merkel adresoi Konferencën për të bërë një vlerësim të arritjeve gjatë Presidencës së Këshillit të Gjermanisë. Ajo vlerësoi Presidencën e Gjermanisë të Këshillit të BE-së, për arritjet (si programin e rimëkëmbjes së BE-së për Gjeneratën e Tjetër dhe në Kuadrin Financiar Shumëvjeçar (MFF) 2021-2027, qasjen e përgjithshme ndaj paketës së reformës për politikën e përbashkët bujqësore pas vitit 2020 (CAP), diskutimet mbi synimin e zvogëlimit të emetimeve CO2 dhe disbursimin e fondeve për “shtetin e së drejtës”, tha Mesi.

Po ashtu, Mesi shton se Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen foli për “Të ardhmen e Bashkimit Europian”.  Ajo theksoi se e ardhmja është e rinisë, digjitalizimit, industrisë dhe se duhet të guxojmë për zgjidhje inovative dhe që i japin vlera brezave në vazhdim, ajo nxiti për më shumë solidaritet dhe bashkëpunim.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.